Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Ish-reporteri thotë se nuk ushtroi padi për shkak se shteti ishte në luftë me UÇK -në

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po vazhdon në Hagë, me dëshminë e dëshmitarit të 28 me radhë, Nebojsha Radosheviq.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po gjykohen për krime lufte dhe pretendime për krime kundër njerëzimit

Reporteri i ‘Tanjug’, Nebojsha Radosheviq ka theksuar se ai nuk është pjesë e një padie të mundshme për ndalimin e tij në Kosovë gjatë kohës së luftës.

Ai ka pohuar se nuk i kishte deklaruar ato se çfarë i kishin ndodhur me pretendimin se “shteti ishte në luftë me UÇK-në”.

Radosheviq deklaroi se këto pretendime nuk janë bërë të njohura publikisht deri në vitin 2011-2012, përveç një interviste të dhënë më 1998, për të cilën nuk ka bindje se është regjistruar zyrtarisht.

Paraprakisht dëshmitari Nebojsha Radosheviq, ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni se Adem Demaçi jepte autorizime për mediat që dëshironin të vizitonin zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Dëshmitari Radosheviq është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe rreth pretendimeve të tij për ndalimin nga UÇK-ja.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 141 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.