Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gjykata aprovon prova të reja në çështjen e Hashim Thaçit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë aprovuar kërkesën e avokatit të Hashim Thaçit për pranimin e materialeve të reja si prova në këtë proces.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se këto materiale ishin paraqitur nga dëshmitari Nebojsha Radosheviq, ish-reporter i agjencisë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug, me kodin 03880.

Dëshmitari kishte dhënë dëshmi më datat 9 dhe 10 tetor, dhe materialet ishin prezantuar gjatë kësaj dëshmie.

Gjykatësi Smith theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kishte kundërshtuar pranimin e këtyre materialeve. Materiale të tilla përfshinin dy shënime zyrtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, një artikull të shtypit, një fragment nga profili Linkedin dhe një video.

Gjykatësi i çështjes gjithashtu bëri të ditur se trupi gjykues ishte i bindur se kriteret dhe rregullat e procedurës ishin respektuar dhe, si rezultat, materialet do të përdoren si prova materiale në proces.

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar edhe pranimin e katër materialeve të tjera të cilat i ishin paraqitur dëshmitarit 03880. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte kundër pranimit të tyre.

Gjykatësi konfirmoi se tre nga këto materiale ishin të rëndësishme dhe relevante për çështjen, veçanërisht në lidhje me statusin e dëshmitarit me numrin 03880 dhe dëshmitarin 04828.

Trupi gjykues u shpreh se këto materiale kishin vlerë provuese dhe nuk kishin ndonjë ndikim të dëmshëm në proces. Ata gjithashtu theksuan se dëshmitari kishte aftësi të konformonte këto materiale dhe të komentonte përmbajtjen e tyre, duke konfirmuar vërtetësinë dhe saktësinë e tyre. Por, kjo do të merret parasysh kur të vendoset sa peshë do të kenë këto prova në proces.

Katër ish-kryetarët e UÇK-së po e ndjekin gjykimin nga salla, ndërsa seanca vazhdon të mbahet e mbyllur për publikun.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.