Foto: KALLXO.com
Gjykimi për rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, i akuzuari thot se nuk ka marrë pjesë në vrasje
Vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, kanë dalë para Gjykatës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë që rëndojnë mbi ta.
Në seancën e së merkurës (19.03.2025) ka vazhduar mbrojtjen i akuzuari Nexhat Vllasaliu.
I akuzuari Vllasaliu tha se të ndjerin Bedri Rexhepi nuk e ka njohur.
“Garantoj me jetë nëse veç një njeri thot Nexhati u kanë, e ka pa Bedri Rexhepin, unë qetash bjermani ta nënshkruaj burgim të përjetshëm sa të jam gjallë”- tha i akuzuarit Vllasaliu.
Tutje, i akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se të ndjerin Bedri Rexhepi nuk e ka varrosur dhe për gjetjen e kufomës së të ndjerit tha se i ka bërë presion vëllait të tij, Jeton Vllasaliut (i akuzuar).
“Unë me dorë teme nuk e kam çu, jam mundu, i kam bo presion Jetonit, boll i kam bo presion, kam lypë edhe unë ku ka pasë dushk që është ma i çumë kam shku me kamë i kam ra, nuk e kam ditë ku është”.
Avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha, e pyeti të akuzuarin lidhur me perden me të cilën tha se kishte qenë e mbështjellë kufoma e të ndjerit Bedri Rexhepi se a kishte qenë perdja e shtëpisë së tij.
“Jo, nuk e di”- u përgjigj i akuzuari Vllasaliu.
I akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se e kishte ditur se është në përgjime, ndërsa për të akuzuarin Jeton Vllasaliu tha se ai nuk e ka ditur.
Lidhur me datën 09.04.2021 se a kishte shkuar në fshatin Vllasali, i akuzuari tha se në këtë datë kishte shkuar i vetëm në fshatin Vllasali dhe se kishte shkuar për të marrë skele.
Gjatë dhënies së mbrojtjes i akuzuari Vllasaliu tha se hetuesia e kishin thirrur që të shkojë ta hapte derën e shtëpisë në fshatin Vllasali.
“Më kanë thirrë hetuesia në Polici, u kanë mbramje, kanë thanë: “A mundesh me ardhë me çel derën e shtëpisë në Vllasali?”. I thash: Nëse e keni urgjent thyene derën unë po jua jap lejen… Kemi shku, i kanë kry punët e veta” – tha i akuzuarit Vllasaliu.
“Pas pak ditësh e njëjta apet, u kontrollu shtëpia edhe një herë, pas një kohe ka ardhë edhe prokurori i shtetit, kanë ardhë ekspertiza edhe një prokurore, një femër ka qenë. Ka qenë mbramje, e kanë bërë ekspertizën e shtëpisë, pas kësaj unë jam arrestu” – shtoi tutje i akuzuari Vllasaliu.
Tutje i akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se po akuzohet për diçka me të cilën nuk ka lidhje.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi (kryetare e trupit gjykues) dhe dy anëtarët Gent Beka dhe Agim Kuqi.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.
Misteri i zhdukjes së biznesmenit ishte hulumtimi të cilin e kishte transmetuar emisioni “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2021.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com, lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.