Gjykata aprovon kërkesën e shoqërisë civile për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e GLPS-së dhe organizatës ‘Qytetarët Aktivë’, për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për realizimin e ‘Parkut të Aventurave’ në Gërmi, dëri në vendosjen meritore të çështjes.

Sipas një njoftimi të Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, që është platformë e GLPS, Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtij vendimi do t’i sillte dëm natyrës i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyerja e ekzekutimit të vendimit, nuk është në kundërshtim me inetesin publik.

“GLPS dhe Qytetarë Aktivë mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike”.

Me 12 shkurt të këtij viti, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike bashkë me ‘Qytetarët Aktivë’ kishin dorëzuar padi ndaj komunës së Prishtinës, për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit për lejen mjedisore për projektin ‘Parku i Aventurave’ në Gërmi.

Këto organizata pretendojnë se komuna ka lëshuar leje për ndërtim të këtij parku në një zonë të mbrojtur dhe se ka dyshime për tejkalim të procedurave ligjore.

Kërkohet pezullimi i projektit për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi – VIDEO