Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike padit komunën e Prishtinës për ‘parkun e aventurave’ në Gërmi

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka dorëzuar padi ndaj komunës së Prishtinës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për leje mjedisore për projektin “Parku i aventurave” në Gërmi.

Sipas kësaj qendre komuna ka lëshuar leje për ndërtim të këtij parku në një zonë të mbrojtur ku gjenden disa nga drunjtë më të vjetër në Kosovë.

Ata përmes kësaj padie konsiderojnë se dhënia e lejes nga ana e komunës është në kundërshtim me ligjin në fuqi për zonat e mbrojtura.

Përmes kësaj padie në gjykatën themelore në Prishtinë CLS kërkon shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi nga ana e komunës.

“Padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Leje Mjedisore Komunale 04Nr. 352/10-151458/20 të Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi’ Komuna e Prishtinës ka lëshuar Leje Mjedisore Komunale për ndërtimin dhe realizimin e projektit “Parku i Aventurave” në kuadër të “Peisazhit të Mbrojtur Gërmia.” Sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës ky lokacion është zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në Peisazhin e Mbrojtur të Gërmisë. Po ashtu, në këtë zonë gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë. GLPS dhe Qytetarë Aktiv konsiderojnë që ky vendim është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Në padi, GLPS dhe Qytetarë Aktiv kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të rastit dhe në fund të anuloj vendimin e Komunës së Prishtinës”, thuhet nga CLS.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me projektin “parku i aventurave” në Gërmi.

Ky projekt është në bashkëfinancim me zyrën zvicerane në Kosovë, Swiss Contact në vlerë prej 240 mijë euro.

Ky park pritet të përfshijë rreth 70 ari me disa sfida që janë të ngritura prej tokës, me shteg të ecjes që thuhet se nuk do dëmtojë bimësinë e parkut. Shtrirja e tij parashihet të jetë nga fshati Butovc në drejtim të Gërmisë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti  lidhur me këtë park ka deklaruar se Gërmia është e mbrojtur me ligj dhe nuk ka rrezik qe këto punime të dëmtojnë natyrën.

Sipas të parit të Prishtinës ‘Gërmia’ bënë pjesë në kategorinë e gjashtë të parqeve, ku futen peizazhet e mbrojtura.

Kurse, sipas Argjentina Grazhdanit nga Swiss-Contact, punimet për parkun pritet të fillojnë në periudhën shkurt-mars 2021, varësisht nga kushtet klimatike.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kulturës dhe zonja Grazhdani nga Swiss-Contact, Parku i Aventurave do të ndërtohet duke përdorur metoda speciale të instalimit në drurë, në këmbë që siguron që të gjithë drunjtë të mbeten të paprekur.

Nga Komuna theksohet se Parku nuk do ketë nevojë për mirëmbajtje 10 deri 15 vite, pas kësaj periudhe duhet të vlerësohen intervenimet që duhet të bëhen dhe nëse ka nevojë për intervenime.

FOTO – Kështu do duket ‘Parku i aventurave’ në Gërmi