Komuna e Prishtinës në pritje të Gjykatës Supreme për Parkun e Aventurave në Gërmi
Komuna e Prishtinës është duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për të proceduar tutje me projektin për Parkun e Aventurave që ishte destinuar të bëhet në zonën e Gërmisë.
Projekti për këtë park u pezullua pas një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku thuhej se paraqet dëm për natyrën.
Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e organizatave joqeveritare Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS dhe organizatës ‘Qytetarët Aktivë’, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për realizimin e ‘Parkut të Aventurave’ në Gërmi, deri në vendosjen meritore të çështjes.
Sipas organizatave, ky projekt ka shkelje të procedurave ligjore gjatë dhënies së lejes mjedisore, nga ana e Komunës së Prishtinës.
Ata madje potencuan se nuk ka pas shqyrtim publik me qytetarët për këtë projekt, e që komuna pati deklaruar se nuk nevojitet një i tillë për raste si ky.
Projekti në fjalë bashkë financohet nga ana e Komunës së Prishtinës dhe Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Nga kabineti i kryetarit të Komunës, Përparim Rama, për Kallxo.com kanë bërë të ditur se po presin vendimin e Gjykatës Supreme për të proceduar tutje me këtë projekt.
“Jemi në pritje të ankesës së parashtruar pranë Gjykatës Supreme. Komuna do të respektoj vendimin e gjykatës supreme”.
Në pyetjen nëse parku do bëhet në lokacion tjetër, e jo aty ku pretendohet se është zonë e mbrojtur, në përgjigjet nga Kabineti i Kryetarit thuhet se kjo do varet nga vendimi i gjykatës, duke lënë kështu të hapur mundësinë që projekti të realizohet në zonën ku u destinua qysh nga fillimi.
“Edhe kjo varet nga vendimi që do marrim nga ana e gjykatës supreme”, thuhet në përgjigje.
Parku pritet të përfshijë rreth 70 ari me disa improvizime që janë të ngritura prej tokës, me shteg të ecjes. Shtrirja e tij parashihet të jetë nga Butovci në drejtim të Gërmisë.
Ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pati deklaruar se Gërmia është e mbrojtur me ligj dhe nuk ka rrezik që këto punime të dëmtojnë natyrën, Parku “Gërmia” sipas tij, bënë pjesë në kategorinë e gjashtë, ku futen peizazhet e mbrojtura.
Marrëveshja për projektin është nënshkruar në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe ndërmarrjen Sport-Marketing, me një bashkëfinancim prej 240 mijë euro.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.