sunni hill 2022

Kallëzim penal ndaj nënkryetarit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Prishtinës për mbajtjen e ‘Sunny Hill’ në Gërmi

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj e disa zyrtarë të tjerë të Komunës janë paditur nga komuniteti “Qytetarët Aktivë” për lejimin e mbajtjes së festivalit “SunnyHill” në parkun e mbrojtur të Gërmisë.

Kallëzimi penal i dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është edhe bërë edhe ndaj Drejtorit të Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Ilirik Musliut, udhëheqësit të sektorit për shërbime publike, Habib Qorrit dhe zyrtarit për hapësira publike, Sabri Gashit.

Në njoftimin për media, aktivistët për mbrojtjen e mjedisit të këtij komuniteti kanë thënë se konsiderojnë që zyrtarët me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer vepër penale të degradimit ose shkatërrimit të mjedisit (neni 338 i Kodit Penal), lejimit të kundërligjshëm të instalimeve që ndotin mjedisin (neni 340 i Kodit Penal), si dhe të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Festivali “Sunny Hill” është mbajtur në Gërmi prej 4 deri më 7 gusht.

Organizatorëve të festivalit ishte planifikuar fillimisht që t’i jepej një tokë 17 hektarësh në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim deri në 99 vite. Por, pas shumë polemikash mes nivelit qendror dhe atij lokal, u vendos që të mbahet në parkun e Gërmisë sikurse herëve të tjera.

“Qytetarët Aktivë” kishin bërë ankesë edhe para mbajtjes së festivalit duke thënë se “nuk ka leje/pëlqim për ndërhyrjet dhe punët brenda zonës së mbrojtur të Gërmisë siç e përcakton neni 128 paragrafi 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”.

Udhëheqësi i sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri për KALLXO.com kishte thënë se mbajtja e aktivitetit nuk anulohet sepse nuk është duke u dëmtuar asgjë, pra nuk ka bazë për t’u anuluar aktiviteti.

“Drejtoria e Parqeve i ka mbikëqyrë punimet me Hortikulturën, sepse Hortikultura në fakt është e autorizuar që ti mbikëqyrë punimet për drunjt dhe të tjera. Aktiviteti pra nuk anulohet në asnjë formë.” – kishte thënë Qorri.