Kuvendi Komunal i Prishtinës FOTO-Ardita Zeqiri/KALLXO.com

Prishtinë, dështon të kalojë në shqyrtim publik Plani Zhvillimor Komunal në Asamble

Asambleja Komunale e Prishtinës i ka thënë ‘jo’ Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), që të kalojë në shqyrtim publik.

23 asamblistë votuan kundër PZHK-së, 6 pro dhe 3 abstenuan.

PZHK-ja është një dokument që hartohet nga Komuna, në bashkëpunim me qytetarët dhe përcakton zhvillimin urban dhe rural të qytetit, për 8 vitet e ardhshme.

Komuna e Prishtinës kishte futur në rend të ditës votimin që ky dokument kaq i rëndësishëm për Prishtinës, që të kalojë tutje në shqyrtim publik.

Organizata ‘Qytetarët Aktivë’ e cilësuan si fitore që ju takon qytetarëve të Prishtinës, sipas tyre, falë angazhimit të tyre që rreth 10 muaj, pasi kjo organizatë konsideron se ka pasur shkelje të rënda ligjore gjatë hartimit të PZHK-së, nga ana e komunës.

“Sot kemi dorëzuar tek asamblistët e Prishtinës dhe MMPHI po ashtu Raportin e 3të për shqyrtim lidhur me dokumentin Vlerësimi Strategjik Mjedisor Prishtina 2029, si dhe shkeljet ligjore gjatë procesit. Kjo kauzë do të vazhdon deri në klarifikimin e rishiqimit të planifikimeve komunale në përputhshmëri të planit hapësinor të Kosovës, zbatimit dhe monitorimit të saj, ligjeve dhe udhëzimeve për planifikim”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se tentimi i komunës së Prishtinës për ta miratuar këtë dokument dy muaj para zgjedhjeve, nuk mund të merret, siç e ka quajtur ai, nga qeverisja e vjetër për ta penguar Prishtinën dhe kryetarin e ri.

“Së bashku e ndalëm votimin e PZHK-së në fund të mandatit të qeverisjes së vjetër. U garantoj qytetarëve të Prishtinës që asnjë vendim, hiç asnjë vendim, nuk mund të merret nga qeverisja e vjetër për ta penguar Prishtinën dhe kryetarin e ri”, ka shkruar Ismaili.

Kurse deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, para fillimit të mbledhjes në Asamblenë Komunale, ka mbajtur një konferencë për media, duke iu bërë thirrje asamblistëve që të mos ta votojnë PZHK-në.

“Qeverisja aktuale po dëshiron që Planin Zhvillimor Komunal, si dokument pararendës i Hartës Zonale, ta kalojë pa diskutime të gjera e të mirorganizuara publike, pa pjesëmarrje, pa transparencë.”, ka thënë Hoxha.

Në korrik të këtij viti është mbajtur një diskutim me qytetarët e Prishtinës, rreth PZHK-së, që ngjalli debate në mes të qytetarëve dhe përfaqësuesve të komunës.

Diskutimi publik për Planin Zhvillimor Komunal ngjall debat në mes të qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës