Parku i aventurave

Parku i Aventurave do të zhvendoset te Pylli i Arinjve

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka thënë se Parku i Aventurave, i planifikuar fillimisht për t’u ndërtuar në Parkun e Gërmisë, do të zhvendoset tek Pylli i Arinjëve në fshatin Mramor, afër Liqenit të Badovcit.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me organizatën zvicerane ‘Swiss Contact’ edhe për disa projekte të tjera.

Sipas Sahatçiut, kryeqyteti do të bëhet me qendër të re informative turistike, dy qendra të tjera mobile në stacion të autobusëve dhe aeroport, ri-funksionalizimi i identitetit ‘Prishtina për promovimin digjital të Kryeqytetit si destinacion’ dhe ndërtimi i Parkut të Aventurave tek Parku i Arinjve.

Projekti për ndërtimin e ‘Parkut të Aventurave’ në peisazhin e mbrojtur të Gërmisë vitin e kaluar ka shkaktuar debat në Prishtinë, në mes të organizatave jo-qeveritare për ambientin dhe zyrtarëve komunalë të Prishtinës. Kjo pasi që ambientalistët konsideronin se një park i tillë në Gërmi do të dëmtonte ambientin dhe faunën në atë zonë.

Së fundmi, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin e këtij projekti, pasi që më herët Gjykata e Apelit dhe ajo Themelore kishin vendosur për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës, për lejen mjedisore komunale për këtë projekt.

Gjykata Supreme lë në fuqi vendimin për pezullim të projektit ‘Parku i Aventurave’ në Gërmi