Parku i Germisë, Prishtinë

Shoqëria civile kundërshton procedurat për montimin e një shtëpize në Parkun e Gërmisë

Një produksion i filmit në Kosovë ka zgjedhur Parkun e Gërmisë për montimin e një shtëpize prej druri, për të kryer disa xhirime filmike.

Lokacioni, sipas produksionit ‘Circle Production’, është në një pjesë ku ka qenë një ndërtesë qeveritare aty dhe shtëpiza është një konstruksion, që sipas tyre, nuk do të dëmtojë ambientin.

‘Circle Production’ e ka marrë pëlqimin për shtëpizën nga ana e Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndërsa xhirimet do të përfundojnë aty përreth 1 muaj.

Por, organizata e shoqërisë civile ‘Qytetarët Aktiv’ ka ngritur dyshimet rreth procedurave të marrjes së pëlqimit.

Kjo organizatë thotë se pëlqimin për shtëpizën është dashur ta jap Drejtoria e Parqeve në Prishtinë, e jo ajo e Shërbimeve Publike.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Flutra Zymi, udhëheqëse e ‘Qytetarët Aktivë’, ka thënë se ka gabime procedurale gjatë lëshimit të pëlqimit.

“Ne kosniderojmë se nuk është zbatuar në mënyrë të duhur ligji dhe dispozitat ligjore të ‘Rregullores për Rendin e Brendshëm në Parkun e Gërmisë’. Me këtë Rregullore ndalohen të gjitha veprimtaritë, të cilat mund të shkaktojnë ndryshime ose dëmtime të pjesës së mbrojtur të natyrës”, ka thënë Zymi.

Sipas saj, me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës parashihen edhe Autoritetet përgjegjëse për vendimmarjje, Rregullorja për rendin e brendshëm dhe Administrimi në zonën e mbrojtur.

Tutje Zymi ka thënë se Parku i Gërmisë është Peisazh i Mbrojtur, të cilën e administron vetëm Drejtoria e Parqeve.

Sipas saj, nuk është kërkuar asnjë rekomandim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, ashtu siç e parasheh Ligji.

“Konisderojmë se organi në fjalë nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të duhur këto dispozita ligjore dhe në kundërshtim me to ka nxjerrur pëlqimin apo vendimin në fjalë andaj kërkojmë: Aprovimin e kësaj ankese dhe anulimin e këtij pëlqimi/vendimi të dhënë”, ka thënë Zymi.

Ndërsa arysetimi i Komunës së Prishtinës, për lëshimin e pëlqimit nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, është se kjo drejtori edhe më herët ka lëshuar leje për aktivitete të përkohshme.

Lëshimin e pëlqimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka bazuar në ‘Rregulloren për Vendosjen, Ndërtimin dhe Largimin e Objekteve të Përkohshme në Pronën Publike’, e jo në ndonjë Ligj të veçantë.

“Me ligj Parku i Gërmisë është i shpallur Peisazh i mbrojtur. Ne kemi konsideruar si peisazh të mbrojtur me këtë pëlqim nuk prishim karakteristikat apo ndërhyrjet të cilat prishin vlerat peisazhore apo biologjike. Nuk dëmtohen drunjët apo me një fjalë nuk preket flora as fauna e parkut”, është arsyetimi i Komunës së Prishtinës.

Sipas Komunës, lokacioni ku do të bëhen xhirimet është në pjesën ku ka qenë ish Qendra protokolare, e cila ka qenë e demoluar pas bombardimeve dhe është pjesë e pa rivitalizuar.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ndërtim të ndonjë objekti por është vetëm një improvizim, i cili shërben për xhirime, prandaj nuk është cekur si objekt i veçantë (në lëshimin e pëlqimit)”.

Ndërsa Besnik Krapi, udhëheqës i produksionit filmik ‘Circle Production’, ka thënë për KALLXO.com se projekti ka kohë që ka filluar dhe sipas tij, janë ndjekur të gjitha procedurat për marrjen e pëlqimit.

“Jemi drejtuar në Komunë dhe kemi marrë leje për xhirimin dhe ndërtimin e motazhës. Ai është shtëpi prej druri – montazh, nuk është objekt i ndërtimeve të materialeve të rënda. Fillimisht kemi pyetur se ku me u drejtu, na kanë orientuar tek Shërbimet Publike, meqenëse është montazh i drurit”, ka thënë Krapi.

Përzgjedhja e Parkut të Gërmisë për të t’i kryer xhirimet, Krapi ka thënë se është bërë për shkak të natyrës së filmit.

Ai ka thënë se vendi ku do të montohet shtëpiza është në një pjesë ku ka beton dhe sipas tij, nuk do të preket asnjë gjethe.

“Në fakt në film janë shumë arsye. Regjisorit i ka pëlqyer si kënd, për shkak të natyrës së filmit që bëhet dhe e kemi zgjedhë pikërisht atë pjesën ku përfundi është beton, nuk kemi zgjedh diku ku ka bari. Jemi siguru që mos me e prek asnjë gjethe, për shkak se edhe unë jam adhurues i natyrës dhe aty është komplet konstruksion, asnjë gozhd nuk është ngul aty dhe jemi siguru mos me u dëmtu asnjë gjethe”.

Produksioni në fjalë, pëlqimin për shfrytëzimin e hapësirës e ka deri me datë 15 prill 2022.

 

Parku i Gërmisë për shkak të bukurive natyrore dhe vlerave të florës dhe faunës, është Peisazh i Mbrojtur me Ligj. Me Parkun menaxhon ‘Hortikultura’ ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës. Gjithashtu, Parku i Gërmisë është i evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura.

Edhe vitin e kaluar, Parku i Gërmisë ishte bërë temë në kryqytet, pasi që aty synohej të ndërtohej një ‘Park i Aventurave’. Ky projekt që financohej nga Komuna e Prishtinës dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, gjithashtu pati kundërshtim nga shoqëria civile, të cilët thonin se kishte shkelje ligjore dhe se lokacioni nuk ishte i duhuri.

Kërkohet pezullimi i projektit për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi (VIDEO)

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.