Kërkohet pezullimi i projektit për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi - VIDEO

 

Disa Organizata të Shoqërisë Civile në Kosovë, po kërkojnë pezullimin e projektit të ‘Parkut të Aventurave’ i planifikuar të ndërtohet në Parkun “Gërmia” në Prishtinë.

Ky projekt, sipas tyre, ka edhe shkelje të procedurave ligjore gjatë dhënies së lejes mjedisore, nga ana e Komunës së Prishtinës.

Projekti në fjalë bashkëfinancohet nga ana e Komunës së Prishtinës dhe Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Për këtë çështje të premten, me 12 shkurt është dorëzuar edhe një padi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike.

Fitore Bajraktari nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, të Grupi për Studime Politike e Juridike, ka thënë se Komuna e Prishtinës gabimisht i ka aplikuar dispozitat ligjore.

“Komuna e Prishtinës, lejen komunale mjedisore e ka lëshuar duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ për lëshimin e lejeve Mjedisore Komunale. Sigurisht ky Udhëzim i jep të drejtën Komunës për një kategori të projekteve të caktuara, të cilat janë të listuara në shtojcën 1 të Udhëzimit. Por Udhëzimi thotë se të gjitha projektet e tjera, të cilat janë jashtë kësaj shtojce, janë kategori të cilat gjykohen dhe vendosen në bazë të ligjit të veçantë, e që është Ligji për Ndikim në Mjedis”.

Bajraktari thotë se në shtojcën 1 të Udhëzimit Administrativ, kategoria e projektit të ‘Parkut të Aventurave’, ku përfshihen parqet rekreative, nuk është e listuar dhe për këtë arsye projekti sipas kategorisë do të duhej të vlerësohej në bazë të Ligjit për Ndikim në Mjedis.

“Ministria do duhej të vendoste nëse duhet të bëhet vlerësimi në ndikim në mjedis dhe sigurisht të zhvillojë gjithë procedurën se si e parasheh Ligji. Ose nëse do të vendoste se nuk ka nevojë për vlerësim të ndikimit në mjedis, duhet të nxjerr vendim të veçantë, sipas Ligjit, që të tregojë arsyet sipas të cilave nuk është i nevojshëm vlerësimi i ndikimit në mjedis”, thotë Bajraktari.

Flutra Zymi nga organizata ‘Qytetarët aktivë’ është një tjetër aktiviste që po kërkon pezullimin e projektit. Ajo thotë se ‘Parku i Aventurave’ është shumë i mirëseardhur dhe i nevojshëm për qytetarët e Prishtinës. Por sipas saj, lokacioni që Komuna e Prishtinës ka vendosë për ndërtimin e projektit, është i gabueshëm dhe në kundërshtim me rekomandimet e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës.

“Shkelja e parë mund të them që nuk i kanë dëgjuar rekomandimet e Institutit. Në fakt as Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, që duhet mandej ta jep njëfarë pëlqimi, as atë nuk e kanë dëgjuar. Pra, shumë në kundërshtim me çka thotë Instituti. Saktë, Instituti e thotë mundësisht që të largoheni nga ky lokacion dhe të dilni nga zona e mbrojtur e Gërmisë dhe po ashtu thotë që të pritet deri në aprovim të Planit Menaxhues të Parkut të Gërmisë”.

Zymi thotë se nuk kanë qenë të përfshirë as qytetarët e Prishtinës në lidhje me projektin, pasi nuk ka pasur dëgjim publik.

“Mandej shkelja tjetër ligjore që Komuna e Prishtinës ka bërë, është se nuk i ka involvuar qytetarët, apo informuar ata. Jo, as nuk është në website të tyre, as nuk ka pasur dëgjim publik apo me e pa se çka kemi nevojë ne si qytetarë”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, ka thënë se për projektin nuk kërkohet të bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis. Sipas saj, kjo është përgjigjja që e kanë marrë nga ana e Ministrisë së Ambientit. Ajo ka thënë se nevojitet vetëm Raport i Ndikimit në Mjedis, e jo vlerësim.

Ndërsa ka thënë se nuk kërkohet as dëgjimi publik.

“Gjithsesi Drejtoria për Kulturë ka bërë shumë takime me aktivistë të ambientit dhe organizata të ndryshme për të diskutuar projektin, sepse na ka interesuar mendimi i tyre dhe vërejtjet që kanë gjatë procesit. Jo vetëm takimin që kemi pasur, pasi është bërë përzgjedhja, por edhe takime gjatë procesit, përkundër faktit që kjo nuk është kërkuar. Diskutim publik klasik nuk kemi pasur dhe kjo nuk kërkohet kur kemi të bëjmë me Lejen Mjedisore Komunale”, ka thënë Basholli, përmes e-mailit.

Aktivistja Zymi ka thënë se përmes padisë së dorëzuar më 12 shkurt, është kërkuar që të pezullohet vendimi deri në një vendim meritor të Gjykatës.

“Përmes padisë kemi kërkuar që të pezullohet ky vendim dhe deri në një vendim meritor që të analizohet i gjithë dokumentacioni dhe gjitha shkeljet ligjore, të pezullohet ky projekt, jo të ndalohet. Unë prapë po e ceku, që është i mirëseardhur ky projekt, por përderisa Gjykata e sheh të gjithë bazën ligjore, se a është në përputhje me atë që kërkohet për një leje mjedisore”.