Dëshmon në gjykatë ish hetuesi policor, i plagosur në Zhur, ku mbet i vrarë Sami Thaçi

Iran Badallaj dhe Arben Gashi kanë dalë sot para Gjykatës së Prizrenit, për t’u deklaruar rreth akuzave të Prokurorisë në lidhje me rastin e shpërthimit në fshatin Zhur të Prizrenit, ku pati mbetur i vdekur pjesëtari i Njësitit Special të Policisë së Kosovës, Sami Thaçi.

Prokuroria, të pandehurit Badallaj dhe Gashi, po i akuzon se kanë kryer veprat shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Përveç dy të pandehurve Iran Badallaj dhe Arben Gashi, nga Prokuroria u akuzua edhe Valbon Çollaku. Çollaku, lidhur me shpërthimin në Zhur, u akuzua se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të pandehurve Iran Badallaj dhe Arben Gashi, ua ka shitur për 400 euro. Çollaku, akuzohej për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.

Gjykata, me 6 maj 2021, e shpalli fajtor të akuzuarin Valbon Çollakun, dhe i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 1,000 eurove dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 viteve.

Deri tek ky vendim, erdhi pasi që paraprakisht palët në këtë çështje penale, kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë ndërmjet prokurorit të shtetit Metush Biraj, të akuzuarit Valbon Çollaku dhe mbrojtësit të tij.

Kurse, në seancën e sotme, të pandehurve Iran Badallaj dhe Arben Gashi pasi iu lexua aktakuza, u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë në lidhje me veprat për të cilat Prokuroria i ngarkon.

Ndërkaq, Prokurori theksoi se nga provat që janë grumbulluar gjatë hetimeve dhe provave që do të shqyrtohen, pa mëdyshje do të vërtetohet teza e aktakuzës për të akuzuarit që kanë bashkëkryer veprat penale.

Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i të dëmtuarit Artur Mrasori, Besnik Berisha në shqyrtimin gjyqësor deklaroi se data 29 janar 2020 nga një ditë punë u shndërrua në një ditë tragjike për një hero të paqes si Sami Thaçi, i cili e humbi jetën në shtëpinë e të akuzuarit Iran Badallaj, dhe tragjedinë me pasoja të përjetshme atij që i shpëtoi kurthit Artur Mrasori.

“Kjo nuk ndodhi nga pakujdesia, nuk ishte rezultat aksidental i panjohurish së zyrtarëve policorë për të kontrolluar një vendngjarje, por ndodhi si rezultat i dashjes, paramendimit, përgatitjes dhe shpirtzisë së një prindi i cili planifikoi t’i bëjë kurban fëmijët e tij. Do të provohet se secili deklarim i të akuzuarit Iran Badallaj, ishte një gënjeshtër. Do të provohet, se për masat e krimit të kryer me dashje, paramendim duke shprehur urrejtje dhe mllef ndaj uniformës që ndoqi Iran Badallajn dhe jo vetëm”, tha avokati Besnik Berisha

Të njëjtin mendim pati edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Merita Qunit, avokati Blerim Mazreku.

“Mbështes çdo shkronjë të thënë nga kolegu Besnik Berisha, dhe gjatë procedurës do të vërehen fakte që nuk janë dëgjuar më parë dhe të cilat do të tregojnë se Kodi jonë Penal nuk është adekuat për gjykim të drejtë të kriminelëve të llojit si Iran Badallaj”, tha avokat Blerim Mazreku.

Këto deklarata, i kundërshtoi përfaqësuesi i Iran Badallajt, avokati Nexhat Elshani. Ai tha se aktakuza, në raport me të mbrojturin e tij nuk ka një mbështetje ligjore, ngase në dispozitat e saj nuk përshkruhet kurrfarë veprimi inkriminues përpos lëndimeve që të dëmtuarit kanë pësuar si rezultat i një eksplodimi të shkaktuar jo me fajin e të mbrojturit të tij.

“I mbrojturi im stigmatizohet dhe cilësohet fajtor, aq më keq edhe kriminel vetëm se është pronar shtëpie të cilën e ka pasur në emrin e vet dhe ka jetuar me fëmijët e tij. I mbrojturi im, nuk ka pasur mundësi që me “telepati” ta aktivizojë një mjet plasës e si rezultat të pësojnë zyrtarët policor pa arsye dhe pa nevojë. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, Iran Badallaj nuk ka qenë aty, ka qenë me dhjetëra kilometra larg”, tha avokat Nexhat Elshani.

Kurse për të pandehurin Arben Gashi, përfaqësuesi i tij Esat Gutaj, deklaroi se i mbrojturi i tij ka dhënë deklaratë dhe në mënyrë indirekte ka pranuar përgjegjësinë në lidhje me veprimet e bëra.

“Për hir të së vërtetës dhe zbardhjes së kësaj ngjarje tragjike, do të shkojmë deri në fund dhe do të tregojmë vetëm të vërtetën. Pas administrimit të provave, do të jemi të gatshëm ta pranojmë përgjegjësinë që i takon të mbrojturit tim”, tha Gutaj.

Gjatë shqyrtimit, u dëgjua dhe dëshmitari Artur Mrasori, i cili nga ky shpërthim kishte pësuar lëndime të rënda.

Fillimisht, dëshmitari tregoi se ka qenë duke e kryer detyrën zyrtare ku dhe ka punuar si hetues në Njësinë e Antidrogës së bashku me Jetmir Gashin dhe rreshter Arsim Bytyçi. Më pas aty ka pranuar një thirrje telefonike.

“Zyrtari përgjegjës i qendrës së thirrjeve telefonike i njëjti kishte pranuar një thirrje nga një vajzë e cila kishte raportuar se në shtëpinë e saj kishte parë Iran Badallajn duke fshehur lëndë narkotike. Pas kësaj, kolegu Arsim Bytyçi tha se kemi leje për bastisje dhe kontroll, andaj, së bashku me kolegun e ndjerë Sami Thaçin dhe me Njësinë Speciale jemi nisur në fshatin Zhur. Pasi unë dhe Sami Thaçi kemi hy brenda, kam parë fëmijët e të akuzuarit Iran Badallaj, e gjatë kësaj kohe vajza e tij më tha se ajo e kishte thirrur policinë. Vajza e të dyshuarit Iran Badallaj, më tha se në katin e dytë e kishte parë babin e saj duke mbështjell diçka në rroba dhe jastëk që nga ne dyshoj se ishin narkotikë”, deklaroi Mrasori.

Kurse, rreth shpërthimit, dëshmitari Artur Mrasori tha se ka qenë duke biseduar në katin e parë me vajzën e të akuzuarit Iran Badallaj, dhe në ato momente Samiu erdhi dhe tha se “babush kqyr çka gjeta” dhe ndodhi eksplodimi.

Tutje, dëshmitari rrëfeu se ka kryer 9 apo 10 operacione si dhe ka qëndruar në spitalin edhe në Turqi për t’u mjekuar. Lidhur me këtë, dëshmitari deklaroi se do të kërkojë edhe kompensim dëmi.

Shqyrtimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e përfaqësuesit të të akuzuarit Iran Badallaj.

Avokati Nexhat Elshani, e pyeti dëshmitarin se sa policë kanë qenë kur kanë shkuar të bëjnë bastisjen.

Kryetarja e trupit gjykues, lidhur me këtë pyetje i bën vërejtje avokatit që të bëjë pyetje konform nenit 334.

Përfaqësuesi i të akuzuarit Iran Badallaj, avokati Nexhat Elshani, pyet dëshmitarin se para se të shkojnë në bastisje nga kush kanë marrë autorizim gojor?

Nga kryetarja e trupi gjykues bëhet me dije se në seancën e paradites dëshmitari ka deklaruar për këtë gjë.

A ke mundur që ta vëresh nëse ka pasur ndonjë derë në dhomën e fjetjes?, pyeti avokat Elshani.

Lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana e përfaqësuesit të palës së akuzuar, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, mori aktvendim që seanca të ndërpritet pasi që avokati i përsërit pyetjet për të cilat dëshmitari ka dhënë përgjigje, dhe nuk parashtron pyetje të tërthorta sipas KPP-së.

Seanca ndaj të pandehurit Iran Badallaj, do të mbahet me datë 23 korrik 2021 më dëgjimin e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, Iran Badallaj dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë, Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyçi.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badallaj, S.B. kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Këto lëndime shpjegohen qartazi në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, ata akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetra.

Ndërsa i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallaj dhe Arben Gashi ua ka shitur për 400 euro.

Ky rast ka të bëjë me shpërthimin në Zhur të Prizrenit, që rezultoi me vdekjen e policit Sami Thaçi.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.