Gjykata merr këtë vendim për të dyshuarin Iran Badalli

 

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit të dyshuarit Iran Badalli, i cili dyshohet për tri vepra penale, që rezultuan me vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaqi.

Me datë 30 janar Badallit i ishte caktuar masa e paraburgimit, ndërsa sot i është vazhduar edhe për 30 ditë.

Kallxo.com ekskluzivisht ka raportuar për ngjarjen e ndodhur natën e 28 janarit në Zhur të Prizrenit.

Iran Badalli ka mohuar të gjitha pretendimet e  Prokurorisë së Prizrenit se ai është përgjegjës për shpërthimin ku vdiq polici Sami Thaqi e u plagosën dy polic të tjerë.

Krejt çka ka thënë Badallaj në sy të prokurorit është se ai nuk ka gisht në ngjarje dhe ishte larguar nga shtëpia shumë kohë para se policia të shkonte në bastisje dhe të ndodhte shpërthimi.

Emisioni  “Drejtësia në Kosovë” ka trajtuar misteret e shpërthimit dhe rrëfimi i dëshmitarit që kishin qenë aty në natën kritike.

Hetimet e para të Prokurorisë kanë zbardhur se i dyshuari për vrasjen e policit Sami Thaqi dhe plagosjen e dy zyrtarëve tjerë të Policisë në fshatin Zhur, Iran Badalli, kishte vendosur eksploziv të llojit ‘TNT’ në shtëpinë e tij.

Badalli po dyshohet të ketë kryer tri vepra penale. Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me vdekjen e zyrtari policor Sami Thaqi.

Si dhe dy vepra tjera penale atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, gjithashtu i njëjti po dyshohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria e Prizrenit po heton rastin ku në detyrë mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi.

Iran Badalli ka qenë i dyshuar i parë i Prokurorisë pasi në shtëpinë e tij ndodhi ngjarja tragjike natën e 28 janarit dhe ai po atë natë është arrestuar nga Policia.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prizrenit ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve edhe ndaj tre personave tjerë, që të gjithë të dyshuar se kanë vepruar në bashkëkryerje me të dyshuarin Iran Badalli.

Prokuroria e Prizrenit hetimet e saj i ka filluar edhe ndaj të dyshuarit, Arben Gashi, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit, nën dyshimet se në bashkëkryerje me Iran Badallin kanë kryer tri vepra penale.

Kallxo.com mëson se Prokuroria e Prizrenit ka filluar hetimet edhe ndaj dy personave të tjerë, e dyshuara me iniciale L. Sh., si dhe ndaj një personi tjetër me iniciale Z. Sh.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë që të gjithë janë duke u hetuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale që rezultuan me vdekjen e policit Sami Thaqit dhe të lëndimit e dy kolegëve të tij, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj.

KALLXO.com ka siguruar informacione se Iran Badalli dyshohet edhe për tetë vepra penale, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me vjedhje.