Foto: MPJD

Ministria e Jashtme, “zonë e ndaluar pune” për të afërmit e zyrtarëve aktualë

Dhjetë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt qeverisës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, nxori një vendim dyfaqësh në përpjekje për luftimin e nepotizmit dhe familjarizmit në ministrinë që e drejton. Me këtë vendim, ajo vendosi që tash e tutje të mos u bëhet vend në MPJD asnjë të afërmi të zyrtarëve aktualë të kësaj ministrie.

Ky vendim, të cilin KALLXO.com e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike në institucionin përkatës, në mënyrë strikte e ndalon punësimin e anëtarëve të ngushtë të familjes, saktësisht të atyre që janë në “radhën e parë dhe të dytë të trashëgimisë”, sipas dy ligjeve në fuqi.

“Ndalohet punësimi i anëtarëve të ngushtë të familjes të të punësuarve aktual në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Anëtarët e ngushtë të familjes si në pikën 1 nënkupton radhën e parë dhe të dytë të trashëgimisë sipas Ligjit për trashëgiminë dhe Ligjit për familjen”, thuhet shprehimisht në pikën 1 dhe 2 të këtij vendimi.

Për zbatimin e këtij vendimi obligimi bie mbi sekretarin e kësaj ministrie.

Bazuar në Ligjin për Trashëgiminë, radha e parë e trashëgimisë janë fëmijët dhe bashkëshorti/ja. Ndërsa, në radhën e dytë e trashëgimisë hyjnë prindërit e personit në fjalë. Ndërkaq me nenin 15 të këtij ligji, në radhë të dytë hyjnë edhe vëllezërit dhe motrat dhe pasardhësit e tyre.

Arsyetimi i Ministrisë i vendosur në letër thotë se punësimi i personave ne lidhje familjare me stafin ekzistues të Ministrisë rritë nivelin e rrezikut në një mënyrë të papranueshme, ndikon negativisht në efikasitetin dhe besueshmërinë e institucionit, duke e vendosur në kundërshtim me interesin publik.

Përveç kësaj në vendim thuhet se punësimi i personave që kanë lidhje familjare me të punësuarit e tanishëm në MPJD do të rezultonte me detyrimin e Ministrisë për të shfrytëzuar burime të mëdha njerëzore për të parandaluar konfliktin e mundshëm të interesit gjatë zhvillimit të aktivitetit të kësaj ministrie dhe pamundësimin e Ministrisë për të shfrytëzuar potencialin e plotë të të punësuarve të saj.

Gërvalla atë ditë që bëri publik lajmin për marrjen e këtij vendimi fajin për “nepotizëm e familjarizim” në MPJD ua la pushteteve të kaluara, duke përkujtuar se brenda kësaj ministre ka raste kur janë të punësuar katër anëtarë të një familjeje.

“Është i gjatë rreshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatave,  kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve”, kishte thënë Gërvalla.

Lidhur me këtë vendim, Institucioni i Avokatit të Popullit në një përgjigje për KALLXO.com tha se deri më tani nuk kanë asnjë shqetësim nga asnjë palë dhe rrjedhimisht nuk ka ndonjë vlerësim rreth përmbajtjes së tij.

Megjithatë, “vendimet që merren dhe që mund të kufizojnë të drejtat e secilit qytetar për të ushtruar një të drejtë siç është e drejta e punësimit dhe e drejta e ushtrimit të profesionit, duhen të jenë gjithmonë proporcionale dhe në pajtim me ligjin”- shkruan në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Ministria ka marrë këtë vendim duke u mbështetur edhe në dy nene të Rregullores së Ministrisë së Financave për menaxhimin financiar dhe kontrollin, përkatësisht në nenin 36 i cili ndërlidhet me nenin 35 të kësaj rregulloreje.

Neni 36 i Rregullores thotë se udhëheqësi vendosë për reagimin ndaj rrezikut duke zgjedhur njërin nga opsionet në vijim: trajtimi deri në kufizim ose reduktim të rrezikut; transferimi i rrezikut; tolerimi i rrezikut; dhe ndërprerja e rrezikut.

Ndërkaq, neni 35 me të cilin është ndërvarur neni i sipërpërmendur thotë se burimet e brendshme të rrezikut përfshijnë burimet njerëzore, çështjet financiare dhe buxhetore, marrëdhëniet e punës dhe sistemet lokale të teknologjisë së informacionit dhe sigurinë e të dhënave.

Përveç këtyre, vendimi bazohet edhe në nenin 3 të të Ligjit 6/7-021 për kontrollin e brendshëm të financave publike.

Në këtë nen përcaktohet se “kontrolli i brendshëm nënkupton procesin që kryhet nga menaxhmenti dhe personeli i subjektit, i përcaktuar për adresimin e rreziqeve dhe ofrimin e sigurisë së arsyeshme lidhur me arritjen e rezultateve në realizimin e interesit publik dhe objektivave të subjektit”.

Me pretendimin se në MPJD janë bërë punësime jo të rregullta, deputetët nga Partisë Demokratike të Kosovës kanë iniciuar kërkesën për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision tashmë është themeluar dhe më 30.04.2024 ka mbajtur një mbledhje.

Aty, deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka kërkuar të gjitha procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, si dhe qasjen në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë dhe në vendimet për emërimet e zyrtarëve nga jashtë.

Ndërkaq, pozita ka kërkuar që hetimi mos të bëhet vetëm për mandatin e Qeverisë Kurti që shtrihet nga marsi 2021 e tutje, por edhe në mandatet tjera paraprake.