Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Gjykatës së Prishtinës: 1 muaj paraburgim për Arian Sijarinën

Gjykata e Prishtinës më 03.05.2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Arian Sijarinën, i cili dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale: Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë;  asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pasi gjyqtarja e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se moscaktimi i masës së paraburgimit do të kishte për pasojë që i pandehuri do të asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale dhe do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, shtjellon më tutje njoftimi.

Aty thuhet po ashtu se Gjykata ka konsideruar se më lënien e tij në liri ekziston mundësia e përsëritjes së veprës penale apo kryerjes së ndonjë vepre tjetër te natyrës se njëjtë apo të ngjashme apo përfundimi i veprës se mbetur në tentativë.

Kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore.

Lidhur me të njëjtin rast më 25.04.2024 zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, kishte konfirmuar për Kallxo.com se të dyshuarit Fitim Doda i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Një plagosje me armë zjarri kishte ndodhur më 26.03.2024 rreth orës 13:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. Nga gjuajtja, një person mbeti i plagosur.

27.03.2024, Policia publikoi emrat dhe fotografitë e dy të dyshuarve, Fitim Doda dhe Arijan Sijarina, të cilët po kërkoheshin për veprën vrasje në tentativë.

Dosjen e Prokurorisë lidhur me rastin mund ta lexoni duke klikuar këtu.