Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme e konfirmon se Petkoviqit i është refuzuar vizita në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka konfirmuar se drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.

“Personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KALLXO.com më 03.05.2024, pa dhënë detaje tjera.

Petkoviq ka deklaruar se autoritetet në Kosovë ia kanë ndaluar që të zhvillojë një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse.

“Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”- tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe më 03.05.2024.

Sipas një njoftimi të kësaj zyre, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

Petkoviq thotë se iu ndalua vizita në Kosovë për Pashkët Ortodokse

 

Në korrik të vitit 2022, Petkoviqit, sipas raportimit të mediave serbe, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Kryenegociatori serb kishte dashur ta vizitojë Kosovën edhe në nëntor e shtator të vitit të 2021, mirëpo leja për një gjë të tillë i ishte refuzuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

MPJD kishte thënë se kërkesat e Petkoviq janë refuzuar për shkak se në vizitat paraprake, kryenegociatori serb ka nxitur përçarje mes komuniteteve dhe ka provokuar institucionet e Kosovës.