Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Vendimi i Gjykatës për personin i cili dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me viktimën me ngecje në zhvillimin mendor

Prokuroria e Ferizajt kishte njoftuar se ka dorëzuar kërkesën për paraburgim për personin me inicialet Xh.D. nga fshati Dubravë i Ferizajt, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një viktimë me ngecje në zhvillim mendor.

Këtë kërkesë e ka miratuar Gjykata e Ferizajt me gjyqtarin e procedurës paraprake Ilir Bytyqi, duke i caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Sipas Prokurorisë,  i dyshuari e kishte marrë viktimën me veturë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të në një motel si dhe ndaj të njëjtës ka ushtruar dhunë fizike.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “N.N”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr  dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e datës 03.05.2024 të Prokurorisë së Ferizajt.

Me këto veprime ai dyshohet për kryerjen e veprës penale – dhunim, dënueshmëria e të cilës sipas këtij kualifikimi është minimumi 5 vjet kurse maksimumi është 15 vjet.

“Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet në një ose më shumë nga rrethanat në vijim, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet: 4.7. kryesi e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit apo paaftësisë fizike apo mendore, ose shtatzënisë.” – përshkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Viktima ishte raportuar e zhdukur nga familjarët e saj ditë më parë, sipas Prokurorisë.

E njëjta ishte dërguar fillimisht në Urgjencën e Kaçanikut dhe i është dhënë ndihma mjekësore, më pas e njëjta është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.