Shpërthimi në Zhur: Arrestohet edhe miku i Iran Badallajt

Një person tjetër është arrestuar në lidhje me rastin e shpërthimit të eksplozivit në një shtëpi në Zhur të Prizrenit ku vdiq një zyrtar policor e dy të tjerë mbetën të plagosur.

KALLXO.com mëson se i dyshuari i arrestuar është miku i Iran Badallajt, pra vëllai i gruas së Badallajt.

Ende nuk dihet qartë se cili ka qenë roli i tij në këtë rast ndërsa në raportin ditor të policisë, thuhet se i njëjti është arrestuar nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me policinë në Prizren.

“Arrestimi ka qene me urdhër të prokurorit, si pjesë e hetimeve qe po zhvillohen për ngjarjen që ka ndodhur në Zhur”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Shaban Osmanollaj .

KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht në lidhje me ngjarjen e 28 janarit në Zhur të Prizrenit.

Sami Thaqi, polic i njësisë speciale u vra nga një shpërthim muajin e kaluar teksa bashkë me kolegë po bastisnin shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Zhur.

Përveç humbjes së këtij polici, në atë incident u lënduan edhe dy policë të tjerë.

Deri më tani ende nuk është bërë e qartë se si ishte vendosur eksplozivi ndërsa i dyshuari, pronari i shtëpisë ishte arrestuar pas ngjarjes tragjike.

Nga thirrjet në polici për dhunë në familje e deri te misteri i shpërthimit të eksplozivit në një shtëpi në Zhur të Prizrenit, u trajtuan detaje edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

VIDEO: Varrimi i policit Sami Thaqi