Eksperti financiar: Sinan Vllasaliu bëri shmangie tatimore në të ardhura personale në vlerë prej 3,257 euro

Këngëtari kosovar, Sinan Vllasaliu po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shmangie tatimi. Prokuroria pretendon se i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 24 mijë euro për periudhën kohore 2011-2015, për shkak të mos deklarimit të qarkullimit të aktiviteteve ekonomike.

Në gjykimin ndaj tij sot më 03.05.2024 ka elaboruar ekspertizën e tij, eksperti financiar, Avni Zejnullahu.

Zejnullahu tha se në bazë të dosjes që kishte pranuar nga Gjykata dhe nga palët e tjera, del se Vllasaliu ka bërë shmangie tatimore në të ardhura personale në vlerë prej mbi 3 mijë euro.

“Në bazë të dokumentacionit që i kam marrë nga Gjykata dhe nga palët, shmangia tatimore është 3 mijë e 257 euro e 27 centë për tatimin në të ardhurat personale, pasi që për TVSh nuk ka rezultuar tatim shtesë, sepse asnjëherë nuk ka arritur pragun për regjistrim në TVSH prej 50 mijë euro, i cili obligon tatimpaguesin të regjistrojë”- tha Avni Zejnullahu.

Eksperti Zejnullahu ishte propozuar nga prokuroria që të bëjë ekspertizë financiare, pasi që për këtë rast ishte bërë edhe një ekspertizë më herët e që ishte në shpërputhje me pretendimet e prokurorisë.

Sipas ekspertit prej 60 postierëve, 47 kanë qenë të destinuara për realizim në diasporë ndërsa vetëm 13 prej tyre kanë qenë të dedikuara për aktivitete në Kosovë.

Sipas ekspertit, meqë Sinan Vllasaliu ka qenë shtetas i Amerikës, deklarimet ka mundur t`i bëjë edhe në Amerikë gjë të cilën e ka bërë në bazë të dokumentacioneve që janë të bashkangjitura në ekspertizë.

“Prej këtyre 60 postierëve, 47 janë në diasporë, prej 60, 47 janë aktivitete jashtë Kosovës, ndërsa vetëm 13 janë aktivitete në Kosovë. Në rastin konkret, Sinan Vllasaliu është shtetas i Amerikës, ku edhe bën deklarimin për të hyrat që i bën jashtë Kosovës, por edhe mos të ishte shtetas i Amerikës, të hyrat e fituara jashtë Kosovës, janë të liruar nga TVSH. Sinan Vllasaliu mundet të gjitha të ardhurat me i deklaruar në Amerikë, duhet me i bashkëngjitë faturën që ka pagu tatimin në TVSH”- tha tutje eksperti.

“Ky ka deklaru në Amerikë, unë e kam bo edhe bashkëngjitjet e tatimit në Amerikë”- shtoi eksperti.

Lidhur me këtë akuzë të prokurorisë, Sinan Vllasaliu nuk ka pranuar fajësinë.

Me elaborimin e ekspertizës, gjyqtarja Naime Krasniqi- Jashanica ndërpreu seancën për të vazhduar më 17 maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com që përfaqësohet nga prokurorja Elza Bajrami, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.

Shënim: Artikulli është edituar në ora më 03.05.2024, ora 16:36, për shkak të një gabimi teknik të përshkrimi i shumës.