Ilustrim

Akuzoheshin se transportuan drogë drejt Mitrovicës, hetuesi policor u lirua e stomatologu u dënua me burg

Gjykata e Pejës e ka dënuar stomatologun Valon Malaj me burgim në kohëzgjatje prej një viti si dhe me gjobë në shumën 21 mijë euro, ndërsa ka liruar nga akuza hetuesin e Krimeve të Rënda, Shemsedin Gecin dhe Adnan Gërxhaliun.

Vendimi është shpallur më 01.05.2024 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Nushe Kukaj – Mekaj.

Prokuroria e Mitrovicës pretendonte në vitin 2017 se një hetues i Krimeve të Rënda dhe një stomatolog kishin arritur marrëveshje për bartje të drogës me një person nga Shqipëria.

Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, ishte bërë në një kafene në zonën e Skenderajt.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori i krimeve të rënda, Njazi Rexha, përshkruhet takimi i marrëveshjes, rruga që kishin përshkuar të dyshuarit deri në kapjen e tyre më 13.07.2017, nga njësiti Anti-Drogë i Policisë e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

KALLXO.com raportoi në ditën e arrestimit se me një veturë “Golf 4”, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shemsedin Geci, hetues në Krimet rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon Malaj, ishin arrestuar pasi në veturën e drejtuar nga Geci ishin gjetur 8 kilogramë drogë e llojit marihuanë.

Një muaj më vonë, Policia e Kosovës kishte arrestuar Adnan Gërxhaliun si i dyshuar i përfshirë në rastin e policit Shemsedin Geci dhe stomatologut Valon Malaj, të cilët pretendohej se janë kapur duke transportuar drogë.

Në përgjigjen e Gjykatës së Pejës thuhet se Shemsedin Geci dhe Adnan Gërxhaliu janë liruar në mungesë të provave.

“I pandehuri V.M, për vepër penale blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 par.1 të KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së, është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, duke ju llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, e i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim unik me gjobë në shumë prej njëzetenjëmijë (21.000) euro, të cilën obligohet t’a paguaj në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KALLXO.com.

Sipas Gjykatës, të pandehurit i është konfiskuar substanca narkotike, arma dhe municioni.

“Të pandehurit SH.G dhe A.G, janë liruar nga akuza për vepër penale blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 par.2 lidhur me nenin 281 par.1 pika 1.1 e 1.9 lidhur me nenin 31 të KPRK-së meqë nuk është provuar se të njejtit kanë kryer veprën penale”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

Vendimin e Gjykatës e ka komentuar avokati i Valon Malajt dhe Adnan Gërxhaliut, Mahmut Halimi.

“Shemsedin Geci dhe Adnan Gërxhaliu janë liru prej akuzës. Ndërsa Valon Malaj është shpallë fajtor. Tash deri të përpilon aktgjykimin, kanë mbetë me shku në Gjykatë të Apelit. Është dënu një vit, gjithashtu edhe me një shumë të të hollave. Këta dy të tjerët u liruan në mungesë të provave” – tha avokati.

Sipas avokatit, klienti i tij Adnan Gërxhaliu nuk e ka merituar hiç as të jetë në procedurë.

“Ka ndodhë veç koicidencë. Se ky endet se i ka dyqanet në Lagje të Boshnjakëve. E në ato momente kur kanë kalu atypari ky është pa me veturë të tij, ka vozitë në Lagje të Boshnjakëve, kurrgjë ma shumë. Prokuroria ka thënë që kinse e ka marrë atë shtetasin e Shqipërisë e ka qitë prej ETC-së në veturë, filma. Mirëpo në veturë përkundrazi shihet që janë ai vetë duke vozitë shumë ma përpara, ai i Shqipërisë” – ka thënë Halimi për KALLXO.com.

Tutje, sipas përgjigjeve të Gjykatës së Pejës, arsyetimi lidhur me këtë vendim, përfshirë edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese, Gjykata do t’i japë në aktgjykimin që do të përpilohet me shkrim.