Prokuroria, Foto: KALLXO.com

Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi viktimën me ngecje në zhvillim mendor

Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën për paraburgim për personin me inicialet Xh.D.  nga fshati Dubravë i Ferizajt, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një viktimë me ngecje në zhvillim mendor.

Sipas prokurorisë,  i dyshuari e kishte marrë viktimën me veturë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të në një motel si dhe ndaj të njëjtës ka ushtruar dhunë fizike.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “N.N”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr  dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e datës 03.05.2024, të Prokurorisë së Ferizajt.

Me këto veprimet ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “dhunim”, dënueshmëria e të cilës sipas këtij, kualifikimi është minimumi 5 vjet kurse maksimumi është 15 vjet.

“Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet në një ose më shumë nga rrethanat në vijim, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet: 4.7. kryesi e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit apo paaftësisë fizike apo mendore, ose shtatzënisë..”përshkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Vitkima ishte raportuar e zhdukur nga familjarët e saj ditë më parë, sipas prokurorisë.

E njëjta ishte dërguar fillimisht në Urgjencën e Kaçanikut dhe i është dhënë ndihma mjekësore, më pas e njëjta është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.