Në ditën botërore të Lirisë së Shtypit diskutohet për mjedisin e punës së gazetarëve në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka organizuar diskutim mbi sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës në Ditën Botërore e Lirisë së Shtypit.

Kjo ditë Kosovën u shënua edhe me raportin e Reporterëve Pa Kufi në të cilin Kosova pësoi rënie në lirinë e shtypit duke rënë për 19 vende më poshtë nga pozita e 56-të deri në pozitën e 75-të.

“Renditja (e raportit të Reporterëve pa Kufi) mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve për shkak të asaj që kemi përjetuar në vitin e fundit. Duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në forma të ndryshme në këtë rënie. Këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës”- deklaroi Xhemajl Rexha, kryetari i bordit të AGK-së.

“Liria e Shtypit është e rëndësishme, Thomas Jeffersoni ka thënë “Nëse duhet të zgjedh ndërmjet Qeverisë dhe lirisë së shtypit, sigurisht se do të zgjidhte lirinë e shtypit”. Me lirinë vjen edhe përgjegjësia. E mirëpres fokusimin e diskutimit në standardet dhe kodin e etikës gjate raportimit”- deklaroi, Michael Davenport, Udhëheqës i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj gjatë diskutimit tha se Qeveria ka zgjedhur mënyrë të gabuar të reagimit për pakënaqësitë e tyre për raportimin e gazetarëve.

Sipas tij kjo ka sjell situatën që tani gazetarët janë cak i lehtë i sulmeve.

“Me këtë qasje që ka pasur Qeveria deri tash, përpjekja për me e minu besimin e mediave në publik, e ka vështirësu punën e gazetarëve. Sjellja e Qeverisë, në masë të madhe shoqërohet me ushtrinë digjitale e cila ndërton narrativën se mediat dhe gazetarët janë fajtorë për gjithçka që ndodhë keq në Kosovë”- deklaroi Mushkolaj.

Gazetarja Gentiana Hasani ka theksuar vështirësitë me të cilat po përballen gazetarët në terren.

“Militantët nëse jo në terren, në pjesën digjitale kur kemi postu shkrime, fushatë denigruese ndaj secili gazetar që ka raportu”- deklaroi Gentiana Hasani, gazetare.

Edhe mediat nga komunitetet jo shumicë po përballen me vështirësi në punën e tyre.

Fatmir Menekshe, drejt i radios “Romano Avazo” tha se po përballen me vështirësi financiare teksa theksoi edhe një rast kuu një deputet rom ka tentuar ndikimin në redaksinë e RTK-së në gjuhën rome.

“Në RTK, redaksia rome, deputeti ynë i cili nuk ishte i ftuar në komision, ka marrë pjesë dhe ka raportuar pakënaqësinë e tij ndaj redaktorit apo kryeredaktorit që e udhëheq median”- tha Menekshe.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti tha se Kosova ka ligje të mira sa i përket lirisë së shprehjes.

“Kemi një definicion më strikt të gjuhës së urrejtës dhe në shumicën e rasteve ankesat në KPM kanë të bëjnë me gjuhën vulgare dhe ofenduese. Mundohemi t’i trajtojmë duke aplikuar kushtet që na i lejon ligji. E para ka të bëjë me dialogun mes palëve për të gjetur mundësi të ofrimit ndaj palës tjetër, pastaj mund të vij vërejtja e pastaj edhe sanksioni”- deklaroi Mehmeti.

Gjatë diskutimit u fol edhe për nevojën e shtimit të kujdesit nga gazetarët për ruajtjen e të dhënave personale të viktimave të vrasjeve apo dhunës në familje teksa u potencua se jo gjithçka që gjendet në internet është gazetari.

Kosova shënon rënie të dukshme në lirinë e shtypit, ‘gazetarët cak i sulmeve politike’