Shpejtim Bulliqi

Bulliqi nuk tregon kush ishin policët që shkruan raportin në të cilin thuhet se Lulzim Fejzullahu u ther me thikë

“Janë arrestuar dy të dyshuar pasi që të njëjtit kanë therur me thikë viktimën” – kështu u tha në raportin ditor të lëshuar më 15 janar të këtij viti për rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahut në Podujevë.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e sot shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka tregoi për KALLXO.com se tek viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj një të riut me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë sot Inspektorati Policor i Kosovës tregoi se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Për gjithë ngjarjen e zhvillimet e deri më tanishme, sot në Komunën e Podujevë u mbajtë Këshilli i Sigurisë në Bashkësi.

Mbledhja, për shkak se u vlerësua se është sensitive u mbajt e mbyllur, e më pas kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi mbajti një konferencë për media.

Aty, ai nuk e pati problem të jap detaje lidhur me dy të dyshuarit e këtij rasti, të cilët janë të mitur, mirëpo kur u pyet se kush janë policët që shkruan raportin për rastin e Fejzullahu, ai nuk pranoi të flas.

“Nuk mund të japim të dhëna sepse kjo i përket aspektit të sigurisë” – u shpreh shkurtimisht ai.

KALLXO.com tentoi të marr edhe një përgjigje nga komandanti i Policisë së Kosovës në Podujevë, Njiazi Jashari, mirëpo as ai nuk foli për këtë çështje.

I njëjti shkurtimisht tha se nuk është i autorizuar të flas.

Nga një video-incizim që është publikuar në rrjete sociale është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar, e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta.

Për këto pamje të publikuara reagoi edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ku ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14 janar 2024 në Podujevë rreth orës 13:00.

Sipas raportit policor të datës 15 janar, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.

Gjashtë ditë më vonë, më 20 janar 2024, Lulzim Fejzullahu vdiq gjatë kohës sa ishte në trajtim mjekësor.