Ilustrim

Armë gjuetie, fishekë e pistoleta, policia kryen bastisje në disa shtëpi në një fshat në Malishevë

Dy pushkë gjuetie, 35 fishekë të pushkës së gjuetisë, gjashtë pistoleta njëra nga to artizanale, 13 fishekë të kalibrit 7.65 milimetra dhe tre fishekë të kalibrit 9 milimetra janë gjetur nga ana e policisë dhe janë sekuestruar në fshatin Turjak të Komunës së Malishevës.

Bastisje në disa shtëpi janë zhvilluar gjatë datës 05.04.2024 në fshatin Turjak. Me urdhëresë të lëshuar nga ana e gjykatës policia ka zhvilluar bastisjet, prona këto të katër personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të policisë, në  shtëpi dhe objekte përcjellëse të dy nga të dyshuarit nuk është gjetur diçka e dyshimtë ndërsa te dy të tjerë po.

Në këto shtëpi u gjetën pushkë gjuetie, pistoleta e municion.

Të dyshuarit sipas policisë, dyshohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Nga katër të dyshuarit tre janë arrestuar, dhe për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar.

Rasti është iniciuar si armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armëve.