Ilustrim

Arrestohet një person, dyshohet për përfshirje në fajde

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës ka arrestuar personin me inicialet A.G., si i dyshuar në rastin penal, “Fajdeja”.

Policia ka njoftuar se i dyshuari ishte në kërkim policor që nga vitit 2023.

Sipas policisë,  Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë me datën 18.10.2022, ka iniciuar rast për veprën penale ‘Fajde’ dhe më datën 20.10.2022 në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka dorëzuar kallëzim penal, kundër disa të dyshuarve, ndërsa, po sipas njoftimit të policisë,  gjatë hetimeve nën autorizimin e prokurorit të rastit, më datën 04.05.2023, ka dorëzuar po ashtu edhe një raport plotësues të kallëzim penal në Prokurorin Themelore në Ferizaj, kundër disa të dyshuarve, në mesin e tyre edhe për të dyshuarin A.G..

“Më datën 17.05.2023, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.G., në Komunën e Vushtrrisë, ku gjatë kontrollit i dyshuari nuk është hasur në shtëpi dhe të njëjtit i është lënë ftesë që të paraqitet në polici në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa po më të njëjtën datë 17.05.2023, i njëjti është vendosur në kërkim policor në sistemin e policisë dhe  është arrestuar  dje më datë 11.04.2024” – thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, tridhjetë e gjashtë (36) persona janë të dyshuar si të përfshirë në rastin “Fajdeja”, prej tyre njëzet e tetë (28) janë arrestuar.  Po sipas policisë, ende ka persona ne kërkim policor dhe me urdhër arrest te lëshuar.

Policia thotë se rasti është ende në hetim nga ana Prokurorisë Themelore në Ferizaj.