Seanca gjyqësore ndaj Arlind Manxhukes dhe Egzon Azemit të LVV | Foto: Kallxo.com

Arlind Manxhuka, Egzon Azemi dhe dy të akuzuarit e tjerë nuk pranojnë fajësinë për kanosjen e gjyqtarit dhe prokurorit

Vendimi për ndryshimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për të dyshuarin për sulmin në zyrat e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, Dejan Pantiq, kishin qenë arsyeja e reagimit të të paktën 4 personave, të cilët Prokuroria po i akuzon për kanosje dhe nxitje të përcarjes.

Dy zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj po akuzohen nga Prokuroria për kanosje dhe nxitje të përcarjes për shkak të reagimeve të tyre ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale Afrim Shefikut dhe gjyqtarit Mentor Bajraktarit.

Në seancën e të mërkurës (03.04.2024), të akuzuarit Arlind Manxhuka, Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat që i vë në barrë Prokuroria Speciale.

Përkundër udhëzimit të gjyqtarit, përveç të akuzuarit Qerim Elshani, tre të akuzuarit e tjerë refuzuan të ngriheshin në këmbë gjatë leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

Pas leximit të aktakuzës, gjatë deklarimit të fajësisë, i akuzuari Egzon Azemi spekuloi në qëllimet e ngritjes së aktakuzës që i solli sot në gjykatë.

“…kjo aktakuzë është mveshur padrejtësisht edhe siç e kam thënë edhe në seancën e parë e cila nuk mundi me vazhdu, edhe prokurorja vetë në atë takim e ka pranuar realisht që kjo akuzë është një fabrikim i panevojshëm, e që qëllimet as unë nuk po i kuptoj, qysh nuk i ka kuptu as vetë prokurorja.” – tha i akuzuari Egzon Azemi.

Egzon Azemi është edhe këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i VV-së në Prishtinë.

Ai po gjykohet paralelisht edhe për  “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.  Në këtë rast ende nuk është arritur të mbahet seanca fillestare.

Ndërkaq, edhe gjykimi i datës 11.01.2024 ishte shtyrë pasi i akuzuari Egzon Azemi kishte kërkuar përjashtimin e prokurores Fikrije Fejzullahu.

KALLXO.com mëson se ky propozim është refuzuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special nga gjyqtari Arben Hoti.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi nga LVV akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Dosja e prokurorisë tregon se dy të akuzuarit secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes rrjetit të tyre social të Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28 dhjetor të vitit 2022.

Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu, kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit, në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është Dejan Pantiq.

Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi. Sipas prokurorisë, i akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”

Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas prokurorisë kishte bërë postime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha “e këtij shkrimi i’a kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.

Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.

Në postimet e lartëcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!” .

Kurse i akuzuari Edi Zenelaj kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajratari dhe Prokurorit Afrim Shefkiu”.