Seanca 13.02.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto:KALLXO.com

Dështimet e seancave, gjyqtari për seancën e radhës i pyet të akuzuarit: 'Nëse keni naj ditëlindje kallxoni'

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve për protestën në të cilën kishin pësuar lëndime tre zyrtarë të Policisë më 17, 18.11.2015-të ka dështuar të mbahet të martën, 13.02.2024, në Gjykatën e Prishtinës.

Pasi e njëjta dështoi të mbahej, derisa ishin duke u koordinuar për mbajtjen e seancës së radhës, gjyqtari Eroll Gashi u tha të akuzuarve që ta njoftonin nëse kishin ndonjë ditëlindje, në mënyrë që ta caktonin një datë që mos të mungonin.

“Nëse keni naj ditëlindje kallxoni”- u shpreh gjyqtari para të akuzuarve.

Egzon Azemi, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i VV-së në Prishtinë, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku, akuzohen se më datë 17 dhe 18 nëntor 2015, rreth orës 12:00 deri rreth ora 20:00, kishin marrë pjesë në protestë e cila kishte eskaluar.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur një muaj pas protestës, më 16.12.2015. Ata po akuzohen se kishin sulmuar me gurë dhe kubëza betoni e mjete tjera të forta zyrtarët policor: Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa.

Ndonëse një aktakuzë e ngritur shpejt, para gjykatës seanca fillestare po dështon të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës së sotme (13.02.2024) ishte mungesa e avokates së të akuzuarit Ardian Huli, Besjana Ismajli.

Avokatja Ismaili e kishte njoftuar gjyqtarin për mungesën e saj, meqë ajo do të ishte prezente në një rast në Departamentin Special.

Edhe seanca e kaluar e cila ishte e planifikuar të mbahej më datë 23.01.2024 kishte dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Ardian Huli, kurse gjyqtari e kishte urdhëruar policinë që i njëjti të sillej me forcë në seancën e cila dështoi të mbahej të martën (13.02.2024) në Gjykatën e Prishtinës.

Në mars 2024 pritet të mbahet seanca e radhës, nëse do ketë kushte ligjore për mbajtjen e saj.

Ndaj të akuzuarve rëndojnë akuzat për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Egzon Azemi është i akuzuar edhe për një rast tjetër në këtë gjykatë, ai akuzohet edhe për nxitjes të përçarjes dhe mosdurimit në mënyrë publike ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu.

Çka thotë aktakuza për këtë rast?

Sipas dosjes së prokurorisë, të akuzuarit Egzon Azemi, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i VV-së në Prishtinë, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku, më datë 17 dhe 18 nëntor 2015, rreth orës 12:00 deri rreth ora 20:00, kishin marrë pjesë në protestë e cila kishte eskaluar.

Të njëjtit akuzohen se kishin sulmuar me gurë dhe kupëza betoni e mjete tjera të forta zyrtarët policor Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa.

Dosja thotë së zyrtarët policor kishin marrë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin nga këto sulme dhe për të njëjtat kishte ekspertizë mjeko-ligjore.

Provat me të cilat prokuroria e mbështet akuzën e saj janë dëshmitë e zyrtarëve policor të lënduar, dëshmitë edhe të dy pjesëtarëve tjerë të policisë, ekspertiza mjeko-ligjore, raporti i policisë, foto-dokumentacion, CD me incizime dhe shkresa të tjera.

Çka kanë thënë të akuzuarit para prokurorisë?

Sipas dosjes, i akuzuari Naim Bunjaku ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur duke e pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.

Kurse të akuzuarit Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Ardian Huli e kanë shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Kushtrim Avdimetaj para prokurorisë e ka pranuar pjesëmarrjen e tij në protestë, por ishte shprehur shumë i sigurt se nuk e ka lënduar ndokënd, pasi kishte gjuajtur në distancë prej 15-20 metrash.

Aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurori Blerim Igrishta.

Kallxo.com ka dërguar pyetje në Gjykatën e Prishtinës se sa seanca kanë dështuar deri më tani në këtë rast penal të akuzuarve Egzon Azemi, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i VV-së në Prishtinë, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku. Mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi, Gjykata nuk ka kthyer përgjigje.