Prek fundin gjykimi ndaj ish nënkryetarit të Pejës, akuzohet për keqpërdorim me vota të bashkatdhetarëve nga Austria

Gjykimi ndaj ish-nënkryetarit të Pejës, Shkumbin Gashi dhe Sylë Blakaj lidhur me akuza për keqpërdorim me vota ka arritur fundin me seancën e së martës, më 02.04.2024, në të cilën u thanë fjalët përfundimtare.

Sipas aktakuzës të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje kanë keqpërdorur të drejtën në votim, duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së.

Kjo sipas Prokurorisë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2022.

Fillimisht fjalën e mori Prokurori Special Ilir Morina, i cili gjykatës i propozoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

I njëjti shtoi se në këtë rast nuk ka gjetur ndonjë rrethanë lehtësuese që mund të aplikohet, ndërkaq si rrethana rënduese propozoi motivin për kryerjen e veprës, intensitetin e rrezikshmërisë apo dëmin e vlerës së mbrojtur si dhe shkallën e lartë të dashjes dhe pjesëmarrjes.

Përveç kësaj, Prokurori në seancë paraqiti një fotografi ku shihen të akuzuarit.

“Ky është grupi i personave të cilët kanë bërë manipulimin e 72 votave të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, atje ka dalë dhe i ka marrë i dënuari Shpëtim Shala dhe i ka vendos në postë, përmes postës kanë ardhur në KQZ si vota të rregullta” – tha Prokurori për këtë foto.

Lidhur me këtë deklaratë të Prokurorit, tutje në seancë replikoi mbrojtësi i të akuzuarit Blakaj, avokati Xhafer Tahiri.

“Po të ishte bërë ekspertiza e kësaj fotografie do të vërtetohej se koha në të cilën është bë kjo fotografi nuk është koha për të cilën flitet në aktakuzë, e as vendi, por nuk është bërë kjo ekspertizë” – tha avokati Tahiri.

“Në këtë proces gjyqësor Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë inkriminimin e të mbrojturit tim në këtë çështje penale.” – tha tutje avokati Tahiri në fjalën e tij përfundimtare.

Në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Gashi, avokati Fatmir Kurmehaj, tha se Prokuroria nuk ka ofruar prova për të implikuar të akuzuarin Gashi.

“Nga Prokuroria Speciale, përveç leksioneve mbi demokracinë nuk kemi pasur asnjë provë të vetme e cila do ta implikonte të mbrojturin tim në kryerjen e veprës penale.” -tha avokati Kurmehaj.

I njëjti i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat.

Avokati Xhafer Tahiri po ashtu tha se pranimi i fajësisë nga të akuzuarit e tjerë nuk mund të merret si dëshmi në këtë çështje penale.

“Pranimi i fajësisë nga të bashkakuzuarit e tjerë në këtë çështje juridike nuk mund të merret si dëshmi dhe nuk mund të trajtohet si dëshmi për shkak se Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale garantojnë prezumimin e pafajësisë dhe pranimi i fajit të një personi nuk nënkupton se personat e tjerë në aktakuzë janë fajtorë.” –  tha avokati Tahiri.

Lidhur me këtë, Prokurori tha se parimi i prezumimit të pafajësisë në fakt është respektuar gjatë gjykimit.

“Edhe ne pajtohemi me prezumimin e pafajësisë dhe ky parim është respektuar gjatë këtij shqyrtimi, këtë mund ta cenonte marrja si dëshmi e deklaratave të të dënuarve, ne nuk kemi marrë asnjë deklaratë të tyre sepse ligji nuk e lejon mirëpo është fakt notor se kemi aktgjykim dënues.” – tha prokurori Special, Ilir Morina.

Kujtojmë se bashkë të akuzuar me të lartcekurit janë edhe Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Milot Blakaj, për të cilët është veçuar lënda pasi të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

I akuzuar ishte edhe Kushtrim Gjebokaj për të cilin u veçua procedura në seancën e datës 27.11.2023 pas propozimit të Prokurorisë me arsyetimin se i njëjti është i akuzuar për Kanosje.

Tahir Shala dhe Kastriot Blakaj ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me 03.06.2023. Shala u dënua me 20 muaj burgim me kusht. Ndërkaq Blakaj u dënua me 24 muaj burgim me kusht.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues që kryesohet nga Musa Konxheli dhe me anëtarët Valbona Musliu Selimaj dhe Arben Hoti.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

E krejt këto veprime me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për t’u regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

E ku në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi, i cili e mbante numrin votues 32.

Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë, e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjebokaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A.A. (Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.