Seanca gjyqësore ndaj Arlind Manxhukes dhe Egzon Azemit të LVV | Foto: Kallxo.com

I akuzuari Egzon Azemi kërkoi përjashtimin e prokurores, ndërpritet seanca

I akuzuari për nxitje të urrejtjes dhe përqarjes, Egzon Azemi ka kërkuar përjashtimin e prokurores, Fikrie Fejzullahu nga gjykimi i rastit ku gjyqtari i Departamentit Special e prokurori i Prokurorisë Speciale janë palë e dëmtuar, pasi Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për kanosje.

Azemi kërkoi përjashtimin e prokurores me arsyen se e njëjta ka përfaqësuar raste të tjera ku janë akuzuar aktivistë të Vetëvendosjes, gjë të cilën prokurorja e kishte pranuar gjatë intervistimit të të akuzuarit në objektin e prokurorisë.

“Kërkoj përjashtimin e prokurores, unë personalisht nuk e kam njohur as prokuroren e as palën kinse të dëmtuar, mirëpo pas intervistimit që kemi pasur nga prokurorja në fjalë edhe vetë gjatë intervistimit, prokurorja ka deklaruar se është përfolur disa herë se ka qenë prokurore në rastet që janë të përfshirë aktivistë të lëvizjes Vetëvendosjes”- ishte kërkesa e Azemit.

I akukzuari vazhdoi duke komentuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale duke thënë se përbëhet nga falsifikime skandaloze e tjetërsime pasi që të njëjtit akuzohen si persona zyrtarë përderisa nuk mbajnë poste të tilla.

“Aktakuza e ngritur nga po kjo prokurore përbëhet nga falsifikime skandaloze tjetërsime, madje edhe të pozitave tona sepse në krye të aktakuzës cilësohemi si persona zyrtarë ndërkohë nuk ka nevojë që të jesh jurist që të kuptosh se nëse një i pandehur në këtë rast e ka kryer një vepër pa qenë person zyrtar nuk mund të akuzohet si i tillë”- vazhdoi tutje Azemi.

Azemi tha se prokurorja ka kohë kohë të merret me postime facebooku e mbase edhe është e detyruar të veproj kështu.

“Prokurorja do duhej të merrej me krimet më të rënda që ndodhin në Republikën e Kosovës dhe e njëjta gjenë kohë e mbase është e detyruar të merret me postime të facebook-ut që nuk përmbajnë asnjë kërcënim por që thjeshtë në këtë rast përbëjnë thënie të një heroi kombëtar”- tha i akuzuari.

Kurse prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu tha se është legjitime një kërkesë e tillë e të akuzuarit.

“Është e drejtë dhe e arsyeshme që kërkesa e tij të shqyrtohet, në mënyrë që të na ipet mundësia të vazhdojmë tutje në përputhje me dispozitat ligjore”- tha prokurorja.

Gjyqtari, Arben Hoti mori vendim për ta ndërprerë gjykimin me qëllim që të vendoset lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurores.

Paraprakisht seanca për katër të akuzuarit u shty për një orë pasi që tre prej të akuzuarve nuk kishin angazhuar avokatë. Pala e dëmtuar nuk ishte prezent në Gjykatë.

Gjykata njoftoi palët që do të shtyhet për një orë fillimi i gjykimit pasi të njoftohet Oda e Avokatëve për të siguruar avokatë sipas detyrës zyrate me qëllim që të plotësohen kushtet ligjore që të vazhdohet me gjykimin.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi nga LVV akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Dosja e prokurorisë tregon se dy të akuzuarit secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes rrjetit të tyre social të Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28 dhjetor të vitit 2022.

Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu, kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit, në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit është Dejan Pantiq.

Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi. I akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar sipas Prokurorisë me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”.

Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas Prokurorisë kishte bërë pastime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha “e këtij shkrimi ia kishte bashkangjitur fotografitë me përshkrimin “Tradhëtarët plumbin e kanë hak”.

Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.

Kurse në postimet e lartcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu që mos m`i jet as copza me hy n’dhe në tokën tonë!”.

Kurse i akuzuari Edi Zenelaj, sipas Prokurorisë kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajratari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”.