Rihapet gjykimi ndaj të akuzuarve për manipulimin me vota të diasporës

Gjykimi ndaj ish-nënkryetarit të Pejës, Shkumbin Gashi dhe Sylë Blakajt lidhur me akuzat për keqpërdorim të votave është rihapur në seancën e datës 04.04.2024, ditën kur pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit.

Kështu ka vendosur trupi gjykues i përbërë nga Musa Konxheli, kryetar dhe Valbona Musliu- Selimaj, Arben Hoti, anëtarë.

Trupi gjykues vendosi që të rihap çështjen pasi po kërkon verifikime rreth dy fotografive në cilësinë e provave.

“Trupi gjykues konstaton se duhet të nxirret edhe prova, dy fotografi – imazhe për të verifikuar kohën dhe vendin e shkrepjes së atyre dy fotografive, të cilat i ka kontestuar edhe mbrojtja”- tha kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli.

“Gjithashtu trupi gjykues ka marrë vendim që për seancën e radhës në rihapje të ftohet përfaqësuesi i KQZ-së për t`i sqaruar disa aspekte që konsideron se janë të nevojshme për sqarim të kësaj çështje”- ka bërë të ditur më tutje gjyqtari Konxheli.

Për imazhet në fjalë trupi gjykues ka urdhëruar të bëhet ekspertizë.

“Trupi gjykues merr aktvendim, urdhërohet Agjencia e Kosovës për Forenzikë që të bëjë ekspertizën për dy foto imazhe me emër ‘IMG_5142_1.jpg’ dhe ‘IMG_5143_1.jpg’ nga dëshmia e iPhone Xs Max, dhe të nxjerrë të gjitha atributet e mundshme rreth këtyre fotografive, duke përfshirë datën, vendin dhe kohën e shkrepjes”- ka përfunduar Konxheli.

Në seancë ishte i pranishëm i gjithë trupi gjykues por jo edhe prokurori special Ilir Morina.

Nga mbrojtësit prezentë ishte vetëm ai i të akuzuarit Sylë Blakaj, avokati Xhafer Tahiri.

Lidhur me akuzat dy të pandehurit në fjalë janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e radhës është caktuar më 24.04.2024 në ora 13:30.

Sipas aktakuzës të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje kanë keqpërdorur të drejtën në votim, duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së.
Kjo sipas Prokurorisë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të datës 14.02.2021.
Kujtojmë se të akuzuar janë edhe Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Milot Blakaj, për të cilët është veçuar lënda pasi të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
I akuzuar ishte edhe Kushtrim Gjevukaj për të cilin u veçua procedura në seancën e datës 27.11.2023 pas propozimit të Prokurorisë me arsyetimin se i njëjti është i akuzuar për Kanosje.

Tahir Shala dhe Kastriot Blakaj ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me 03.06.2023. Shala u dënua me 20 muaj burgim me kusht. Ndërkaq Blakaj u dënua me 24 muaj burgim me kusht.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues që kryesohet nga Musa Konxheli dhe me anëtarët Valbona Musliu Selimaj dhe Arben Hoti.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

E krejt këto veprime me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2021.

Të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për t’u regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë, e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjebokaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A.A. (Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.

Raportimet e tjera nga ky rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.