Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Anulohet tenderi për rezervat shtetërore

Me arsyetimin se ka pranuar oferta me çmime më të larta se sa ka parashikuar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka anuluar një tender për furnizim me produkte agro-ushqimore për nevojat e Rezervës Shtetërore.

Tenderi ishte hapur me datë 28 nëntor 2023, ndërsa vlera e parashikuar për t’u shpenzuar përmes këtij tenderi ka qenë 227 mijë e 500 euro.

Për këtë tender ministria kishte pranuar dy oferta. “Beni Dona Plast” kishte ofertuar me 238 mijë e 300 euro, ndërsa “Sweet Bakery” kishte ofertuar me 317 mijë euro.

“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues (ministrisë) për aktivitetin e prokurimit” – thuhet ndër të tjera në arsyetim.

Të dy këto oferta MINT i ka refuzuar si të larta dhe rrjedhimisht me datë 5 janar 2024 ka anuluar në tërësi tenderin.

Gjatë vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona, nën dyshimin për keqpërdorim me rezervat shtetërore të MINT-it. Dy prej të arrestuarve ishin zyrtarë të kësaj ministrie, ndërsa i treti ka qenë një biznesmen.

Arrestimet kishin ndodhur pasi në media ishin publikuar audio-incizime në të cilën, sipas publikimit, dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk iu bashkua rezervave shtetërore.

Një ditë pas arrestimeve, ministrja Rozeta Hajdari kishte dalë në konferencë për media, duke thënë se i mirëpret hetimet e organeve lidhur me çështjen e rezervave.

“MINT mirëpret çdo hetim për rastin e rezervën shtetërore edhe pse jemi të bindur se është në përputhje me ligjin”- kishte thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës ka krijuar edhe një Komision parlamentar hetimor për të hetuar çështjen e rezervave të shtetit. Ky komision ishte vonuar në konstituim për disa jave rresht, pasi që deputet të pozitës nuk jepnin votat e tyre për themelimin e komisionit.

Mbledhjen e parë ky komision e patë mbajtur tek në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Komisioni për rezervat shtetërore mban mbledhjen e parë, diskutohet për planin e punës