Dërgohen para Gjykatës të dyshuari për keqpërdorime të rezervave shtetërore në MINT.

Afera në Ministrinë e Rozeta Hajdarit, Gjykata vendos ndaj tre të dyshuarve

Gjykata e Prishtinës ka vendosur t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Tre të dyshuarit, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi janë arrestuar dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës” – thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykastës së Prishtinës.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Shënim: Më 19.08.2023, ora 16:40, artikulli është plotësuar me detaje nga njoftimi i Gjykatës s Prishtinës.