Komisioni për rezervat shtetërore mban mbledhjen e parë, diskutohet për planin e punës
Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, pas konstituimit në përpjekjen e tetë javën e kaluar, ka mbajtur sot mbledhjen e parë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni ka shprehur keqardhje për vonesën e funksionalizimit të këtij komisioni, duke theksuar se LVV nuk ka pasur për qëllim me pengu komisionin, por votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ai ka kërkuar dy ditë kohë për të hartuar planin e punës, të cilin sipas tij, e kanë marrë disa minuta para se të niste mbledhja sot.
“Të dakordohemi të kemi një punëtori në të cilën hartojmë hapat në të cilën ecim të gjithë dhe të përpilojmë veprimet që do i marrim gjatë punës sonë. Në 45 minuta para se të vijmë të marrim në plan pune nuk kemi pasur kohë ta shohim, do kërkoja mirëkuptimin tuaj qe njëherë të mbajmë punëtorinë”- ka thënë ai.
Kryesuesi i Komisionit, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se pajtohet me vërejtjet e Hysenit për planin e punës.
Ndërsa pranoi se draftin e ka bërë në moment të fundit për shkak të, siç tha ai “disa arsyeve që nuk mund t’i tregoj para kamerave”.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka thënë plani mund të votohet sot me mundësi plotësimi.
“Propozoj që sot të votohet plani me mundësi plotësimi. E di që kryetari e ka dorëzu me vonesë por është mirë që të votohet. Dy muaj që nuk keni marrë pjesë ju, nuk pajtohem që nuk ka nevojë me u shtu mandati i komisionit, propozoj që prej ditës që është konstitu me fillu mandati gjashtë muaj”- ka thënë ajo.
Edhe deputetja tjetër e LDK-së, Doarsa Kica-Xheleli tha se pajtohet me deputetin Hyseni për të mbajtur punëtori dy ditore për planin e punës të Komisionit.
Megjithatë, Kica – Xhelili dhe Hyseni patën përplasje për një çështje tjetër.
Hyseni tha se Kica – Xhelili ka akuzuar deputetët për përfshirje në keqpërdorime, ndërsa Kica – Xhelili ka thënë se për të është relevante puna.
“I keni maltretu mediat dhe keni deklaru gjëra që janë të sakta për juve. Kica Xhelili ka thënë që ka deputetë që janë të përfshirë në keqpërdorime, të na tregojë provat këtu, ose te ju kërkojë falje. Nuk është në rregull se me këta kolegë ke qenë dhe kemi luftu të keqen, ato deklarata kanë qenë ofenduese. Me pretendu që deputetët nuk po vijnë në komision se janë të përfshirë në keqpërdorime, të lutem”- ka thënë Hyseni.
“Për mua është irrelevantë që të më tregoni arsyet e sabotimit, është relevante puna. Nuk di qe ka në një shtet demokratike që shumica ta lëshojë sallën, kur ka bllokada të vazhdueshme. Ke pyetje të deputetëve që kanë mbete për shtatë tetë muaj që s’janë përgjigje”- ka thënë ajo.
Javen e kaluar, në përpjekjen e tetë është konstituuar komisioni hetimor parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Konstituim i këtij komisioni ka dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në mbledhje.
Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.