Rezervat shtetërore, ministrja Rozeta Hajdari po intervistohet si e dyshuar nga Prokuroria Speciale

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, po intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës të hënën, më 15.04.2024.

KALLXO.com mëson se Hajdari po intervistohet në cilësinë e të dyshuarës në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka provuar të marrë një konfirmim edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, por nuk është përgjigjur përmes telefonit.

Prokuroria Speciale po heton rastin e rezervave shtetërore ku pretendohet për keqpërdorime nga ana e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lidhur me këtë rast të dyshuar janë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Dosja e Prokurorisë tregon që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

Prokuroria pretendon se Ministria kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar.

Ndërsa vaji dhe sheqeri dyhsohet se nuk janë sjellë fare.