Ministrja Rozeta Hajdari mbrohet në heshtje lidhur me rastin e rezervave shtetërore

Prokuroria Speciale përmes një komunikate ka bërë të ditur se ministrja Rozeta Hajdari është mbrojtur në heshtje, gjatë intervistimit që ka pasur më 15.04.2024 në objektin e Prokurorisë Speciale, lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

KALLXO.com në mënyrë ekskluzive kishte raportuar gjatë ditës së sotme se ministria Hajdari ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarës lidhur me rasitn e rezervave shtetërore.

“Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Kjo prokurori po e heton rastin e rezervave shtetërore ku pretendohet për keqpërdorime nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Lidhur me këtë rast të dyshuar janë dy zyrtarë të MINT-it: Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Dosja e Prokurorisë tregon që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

Prokuroria pretendon se MINT kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar.

Ndërsa, vaji dhe sheqeri dyshohet se nuk janë sjellë fare.