AGK kërkon nga Osmani e Kurti të mos jenë neutral por ta definojnë qëndrimin rreth krimeve në Gaza

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i është drejtuar Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit në detyrë Albin Kurti me letër për të nxitur reagimin ndaj krizës humanitare në Gaza.

Kriza humanitare në Gaza të Palestinës prej AGK-së konsiderohet si një prej krizave më të mëdha humanitare në histori.

“Ne shprehim solidaritet me të gjitha viktimat e luftës në Gaza, duke përfshirë kolegët tanë gazetarë që përkundër të gjitha vështirësive, vazhdojnë të bëjnë punën e tyre të raportimit” – thuhet mes tjerash në letrën publike të AGK-së.

Ajo çfarë po ndodhë në Gaza, sipas AGK-së është krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

“Uria po përdoret si armë, dhe mohimi i nevojave bazike, duke përfshirë ilaçe dhe ujë të pastër, po ndodhë para syve të botës. Të vetmit dëshmitarë të mbetur të këtyre krimeve dhe vuajtjeve janë gazetarët lokalë” – thuhet tutje në letër.

AGK thekson se “nën bllokadë dhe me ndalim të hyrjes së gazetarëve ndërkombëtar”, ata rrezikojnë jetët e tyre për të sjellur të vërtetën para botës.

Edhe gazetarët lokalë, po heshten nga Izraeli përmes urisë, shkruan tutje AGK.

Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë, AGK u shkruan se Federata Europiane dhe ajo Ndërkombëtare e Gazetarëve, paralajmërojnë se gazetarët në Gaza kanë arritur pikën e kolapsit fizik.

“Ata po vdesin nga uria, po e humbin vetëdijen, po e humbasin forcën – dhe me këtë aftësinë për të bërë punën e tyre. Sipas të dhënave të IFJ-së, së paku 187 gazetarë dhe punëtorë medial janë vrarë që prej fillimit të luftës në Gaza” – deklaron tutje AGK në letër.

Vdekjet e gazetarëve bartin mesazh të rrezikshëm, ‘që e vërteta nuk duhet të dalë në dritë’, sipas AGK-së.

Tutje, përfaqësuesit e gazetarëve thonë se me mbylljen e Gazës për hazetarët e huaj, ushtrua izraelite po e shtyp lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikur për tu informuar.

“Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës – Presidenca e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë të qartë të definojnë qëndrimin e tyre për krimet e vazhdueshme në Gaza, dhe të mos fshihen prapa formulimeve neutrale”  – thuhet tutje në letër.

Nga Presidenca dhe Qeveria kërkohet që të bëjnë thirrje publike për ndalimin e vrasjes së civilëve, lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare dhe lejimin e punës së papenguar të gazetarëve, duke përfshirë lejimin e hyrjes së gazetarëve ndërkombëtarë brenda territorit të Gazas.

Kosova, sipas AGK-së, duhet të vendoset në anën e humanizimit dhe të së drejtës ndërkombëtare, sikurse edhe shtetet tjera të Europës.

“Është e papranueshme moralisht që Kosova të qëndrojë e heshtur në këtë moment” – thuhet tutje në letër.

“Kur e vërteta heshtet me uri deri në vdekje, është detyra e secilit të flasë me zë të lartë” – përfundon letra e AGK-së.