Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

44 vdekje në tri ditë nga COVID-19, Abdixhiku kritikon Qeverinë që po sillet sikur asgjë nuk po ndodhë

Kryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku përmes një postimi në facebook, ka shprehur shqetësim për numrin e vdekjeve nga COVID19.

Abdixhiku, ka thënë se Kosova është vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë.

“Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri. Nga një ditë zie e kemi çdo ditë”, është shprehur Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ata po sillen sikur asgjë nuk po ndodhë dhe se përballja me pandeminë duhet të jetë prioritet.

“Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjen kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka theksuar se asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi se sa ballafaqimi me pandeminë dhe me 24 mijë personat e infektuar aktualisht.

 

Postimi i plotë:

Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri.

Nga një ditë zie e kemi çdo ditë.

Këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë. S’është normale. As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund t’i kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysmë.

Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektorat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë!