GLPS: Parandalimi i vrasjes së grave duhet të shihet si urgjencë kombëtare

“Stop femicidit në Kosovë”. Kjo është thirrja që e ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e indinjuar nga dy rastet e fundit të femicidit në Kosovë.

“Vrasja e dy grave, në Pejë dhe në Ferizaj, pasqyron nevojën urgjente për veprim e ndërgjegjësim karshi dhunës me bazë gjinore dhe fuqizimin e institucioneve të sigurisë e drejtësisë për të parandaluar në mënyrë efektive tragjedi të tilla”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

GLPS u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Institucioneve të Sigurisë dhe të Drejtësisë që t’i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave me seriozitetin dhe efiksasitetin më të lartë, dhe të bëhen bashkë për të luftuar dhunën me bazë gjinore.

Kjo luftë, sipas kësaj organizate, përfshinë edhe zbatimin e politikës adekuate ndëshkimore për rastet e dhunës ndaj grave.

“Kujtojmë se këto dy tragjedi nuk janë të izoluara. Ato janë dy shembuj të një problemi më të madh, sistemik, që kërkon vëmendje të menjëhershme dhe veprim vendimtar e emergjent”, theksohet në reagimin e GLPS-së.
Parandalimi i vrasjes së grave, sipas GLPS-së, duhet të shihet si urgjencë kombëtare.