Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Thaçit e Veselit iu vazhdohet paraburgimi

Gjykata Speciale, për rastin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ka vendosur që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’u vazhdohet masa e paraburgimit.

Vendimet për masat e vazhdimit të paraburgimit të Thaçit dhe Veselit janë vendosur nga kryetari i panelit gjyqësor, Charles Smith III, më datën 16 tetor 2023.

Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Mbrojtja e Thaçit kishte paraqitur përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte argumentuar se vendimi për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin ishte ende i arsyeshëm dhe nuk kishte ndryshuar nga vendimi i mëparshëm për këtë masë, duke e vlerësuar atë si proporcionale.

Mirëpo ky qëndrim ishte kundërshtuar nga mbrojtja e Thaçit.

Në arsyetimin e Gjykatës, theksohet se justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia nuk është i mjaftueshëm.

Se ekziston një rrezik që Thaçi dhe Veseli mund të ndikojnë në procesin gjyqësor dhe të kryejnë vepra kriminale të mëtejshme kundër atyre që konsiderohen kundërshtarë të UÇK-së duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi ose atyre që edhe mund të ofrojnë prova në këtë rast.

Paneli thekson se vlerësimi i arsyeshmërisë për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit Veseli dhe Thaçi duhet të bazohet në rrethanat e çdo rasti dhe karakteristikat e tij të veçanta.

Sipas vlerësimit të panelit gjyqësor, veçoritë e veçanta në këtë rast përfshijnë atë që Veseli është i akuzuar për dhjetë akuza të krimeve të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ka një rol të rëndësishëm, nëse ai dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë dhe çështja kundër tij është komplekse.

Ndërsa, në rastin e Thaçit, sipas këtij paneli, disa nga karakteristikat e veçanta në këtë rast përfshijnë ndikimin dhe autoritetin të Thaçit, njohuritë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, rreziku që Thaçi do të pengonte procedurat, rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës për krime të mëtejshme, peshën dhe kompleksitetin e akuzave kundër Thaçit si dhe fakti që ky proces gjyqësor është duke u zhvilluar momentalisht, duke demonstruar kështu edhe një progres të arsyeshëm të procedurës.

Andaj, sipas vendimeve, duke pasur parasysh rrethanat e diskutuara më lartë dhe faktin që rreziqet e pengimit të proçesimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme vazhdojnë të ekzistojnë – dhe asnjëra prej tyre nuk mund të zbutet me një zbatim të arsyeshëm, paneli konkludon se vendimi për paraburgimin e Thaçit dhe Veselit janë të arsyeshme dhe të nevojshme në rrethanat e veçanta të rastit.

Tutje, paneli gjyqësor thekson se si Thaçi, ashtu edhe Veseli, kanë qenë në paraburgim për një periudhë të gjatë, dhe gjykimi në këtë rast ka të ngjarë të jetë i zgjatur.

Përmes këtij vendimi, është udhëzuar Zyra e Prokurorit të Specializuar që të paraqesë parashtresat për rishikimin e masës së paraburgimit të Thaçit dhe Veselit më së voni deri më 24 nëntor 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 143 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.