Fejzullahu: 25% e qytetarëve në veri kanë nënshkruar kontrata me "Elektrosever"-in

25% e qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës kanë pranuar të nënshkruajnë kontrata me kompaninë “Elektrosever”.

Kështu tha kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai e ka quajtur “të kënaqshëm” procesin e faturimit të energjisë elektrike në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

“Ky është muaji i tretë që ata kanë fillu me i shpërnda faturat në katër komunat. Procesi është i kënaqshëm.  25% e qytetarëve kanë pranu të nënshkruajnë kontrata me ‘Elektrosever’-in dhe shpresojmë që ditët në vazhdim shumica e tyre të nënshkruajnë”- tha ai.

Fejzullahu theksoi se në muajin e parë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike janë dërguar me vlera fikse te qytetarët.

Kryesuesi i ZRRE-së tha se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka të drejtë të kërkojë borxhet e pashlyera nga qytetarët e katër komunave për mospagesë të energjisë elektrike.

Sipas Fejzullahut, gjatë atyre viteve KEK-ut i është pamundësuar dërgimi i faturave të energjisë elektrike në këto komuna.

“KEK-ut i është pamundësuar që të dërgojë fatura atje sepse ka pasur qytetarë të cilët kanë pasur dëshirë të paguajnë energjinë që e kanë shpenzuar” – tha ai.

www.kallxo.com