Foto: Pixabay

Faturimi i rrymës në veri, Fejzullahu: Rreth 25% e konsumatorëve kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me kompaninë "Elektrosever"

Që nga fillimi i vitit 2024, ka nisur faturimi i energjisë elektrike në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut nga “Elektrosever”, kompania e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë. 

Që nga nisja e këtij procesi, 25% e qytetarëve të katër komunat me shumicë serbe në veri kanë lidhur kontratë me kompaninë “Elektrosever”. Këtë e ka konfirmuar kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në emisionin “Kallxo Përnime” më 14.04.2024. Ai më tej ka thënë se shpreson që edhe pjesa tjetër e qytetarëve të nënshkruajnë marrëveshjen.

“Ky është muaji i tretë që ata kanë fillu me i shpërnda faturat në katër komunat në veri të Kosovës. Procesin ne konsiderojmë që është i kënaqshëm. Ne kemi dëshirë që ky proces të përmbyllet sa më shpejt. Rreth 25% e konsumatorëve kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me Elektroseverin dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim pothuajse shumica e konsumatorëve të nënshkruajnë kontratë me Elektroseverin”- tha Fejzullahu në “Kallxo Përnime” më 14.04.2024. 

Sipas ZRrE-së, nëse ndonjë konsumator nuk ka njehsor të energjisë elektrike dhe matësi i tyre nuk është funksional, atëherë konsumatori duhet të nënshkruajë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’ia instalojë apo ndërrojë njehsorin elektrik. Kjo do të bëhet në mënyrë që konsumatori të ketë matje të shpenzimit të energjisë elektrike.

Fejzullahu konfirmoi se faturat e para të dërguara tek konsumatorët në veri kanë qenë paushalle. Sipas tij, kjo është bërë për arsye se është dashur të ekzistojë një regjistrim fillestar i shpenzimit të energjisë elektrike.

“Muajin e parë është dërgu, meqenëse duhet të bëhet një lexim fillestar, pastaj të bëhet krahasimi në mes leximit paraprak dhe leximit vijues. Muaji fillestar është dërgu me vlerë fikse, mirëpo tani duhet të lexohen sipas matjeve” – tha ai në “Kallxo Përnime”. 

Fejzullahu ka deklaruar se Korporatës Energjetike të Kosovës më herët i ishte pamundësuar dërgimi i faturave në veri dhe se ata kanë të drejtë të kërkojnë borxhet e pashlyera nga qytetarët e katër komunave në veri. 

“Për ZRrE të gjithë qyetarët duhet t’i kryejnë obligimet ndaj të gjithë furnizuesve prandaj KEK ka të drejtë të kërkojë të gjitha borxhet e pashlyera nga qytetarët në atë periudhë. KEK-ut i është pamundësuar që të dërgojë fatura atje sepse ka pasur qytetarë të nacioalitetit shqiptar të cilët kanë pasur dëshirë të paguajnë energjinë që e kanë shpenzuar por që nuk kanë pranuar faturë ” – tha më tej ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12.02.2023 kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro.

Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka vërtetuar vendimet të cilat obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës. Kjo pas padisë së Avokatit të Popullit, i cili kërkonte anulimin e vendimit me të cilët qytetarët obligoheshin ta paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar në veri.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ZRrE duhet të obligojë KEDS-in që të rimbursojë qytetarët e pjesës tjetër të vendit. Bazuar në këtë vendim, më 05.04.2024, ZRrE ka vendosur që kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01.06.2024 deri më 28.02.2030.

“ZRrE në mbledhjen e mbajtur më 05.04.2024 ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017”- thuhet në njoftimin e këtij institucioni të datës 05.04.2024.

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së në emisionin “Kallxo Përnime” tha se pavarësisht që gjatë periudhës 2012-2017 përgjegjës për furnizimin me energji elektrike në veri ka qenë KEK, KEDS dhe KOSTT, ata kanë respektuar vendimin e Kushtetueses që të obligojnë vetëm KEDS që të rimbursojë qytetarët. 

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës më shumë se një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013. Derisa, më 21.06.2022, në Bruksel ishte arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë të arritur në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e kishte paraparë që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohej edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës. Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Licenca i është dhënë kompanisë “Elektrosever” më 24.06.2022, pra tri ditë pas arritjes së dakordimit për kalendarin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, me 9 pika, mes kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel më 21.06.2022.

Më shumë se një vit më pas, më 23.12.2023, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe kompania “Elektrosever” kanë nënshkruar kontratën për normalizimin e shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.