Ilustrim
Pse ZRRE nuk mori parasysh kërkesën e KEK-ut për rritje të çmimit të rrymës për KEDS, KESCO dhe KOSTT?
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për KEDS, KESCO dhe KOSTT. KEK ka parashikuar t’ia shesë 31.50 euro megavatin e energjisë elektrike KESCO-s, ndërsa KOSTT-it dhe KEDS-it 39.10 euro.
Korporata Energjetike e Kosovës në komentet e saj në raportin konsultativ për lejimin e të hyrave maksimale për KEDS, KESCO dhe KOSTT kishte inkurajuar ZRRE-në që në të hyrat e këtyre të licencuarve të përfshijë koston për blerjen e energjisë elektrike nga KEK.
Por, kjo kërkesë e KEK nuk është marrë parasysh nga Zyra e Rregullatorit dhe këto çmime të propozuara nga KEK nuk janë përfshirë në të hyrat maksimale të KEDS, KESCO dhe KOSTT.
Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në emisionin “Kallxo Përnime” më 14.04.2024 tha se nuk ka arsye që KEK të rris çmimet e energjisë elektrike për KEDS, KOSTT dhe KESCO.
Për Fejzullahun, KEK nuk ka pasur investime të mëdha kapitale që do të arsyetonin rritjen e çmimit të energjisë me shumicë për këta tre të licencuar.
Ndër të tjera, ai vuri theks se kërkesa e KEK nuk ka respektuar hapat siç janë përcaktuar me procedurë dhe se KEK nuk ka marrëveshje me palët të cilave ua ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë.
“Është një marrëveshje që duhet të respektohet procedura në fuqi. Një kërkesë e tillë nuk i ka respektuar hapat siç janë të përcaktuar në procedurë. ZRRE nuk mund ta pranojë një rritje të tillë nëse nuk kemi investime të kënaqshme. Nuk ka pasur asnjë arsye që të ketë rritje të çmimit të rrymës me shumicë. Investimet kanë qenë të njëjta apo shumë të vogla në vitet e fundit. Kemi pritje vitin tjetër që të ketë investime kapitale në KEK dhe ato do të reflektohen” – tha ai.
Një një përgjigje për KALLXO.com, KEDS tha se respekton vetëm vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“KEDS është kompani e rregulluar dhe zbaton vendimet e ndërmarra vetëm nga ZRRE-ja”- tha Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it për KALLXO.com.
Në një përgjigje për KALLXO.com, KOSTT ka thënë se çdo vendim për përcaktimin e të hyrave të lejuara për të licencuarit dhe përcaktimin e tarifave për aktivitetet e rregulluara në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, është kompetencë ekskluzive e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“KOSTT sh.a propozon të hyrat e lejuara në bazë të përshtatjeve tarifore, në mënyrë që kostot e Sistemit Elektroenergjetik të reflektohen në të hyrat shtesë të kompanisë për të mbështetur mëtutje sigurinë e furnizimit si dhe për mbrojtjen e integritetit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës” – thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.
Në lidhje me refuzimin e propozimit nga ana e KEK-ut, KALLXO.com ka dërguar pyetje në KEK por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
KEK kishte arsyetuar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike me shumicë për KESCO, KEDS dhe KOSTT në raport me inflacionin.
Kjo korporatë kishte nënvizuar se ZRRE i kishte njohur koston e inflacionit disa operatorëve të tjerë, andaj të njëjtën do të duhej t’ia njihte edhe KEK-ut.
“KEK kërkon nga ZRRE që së paku të reflektojë koston mesatare të prodhimit të energjisë elektrike dhe mbulimin e kostove shtesë që barten nga rritja e tarifave të KOSTT dhe përkundër faktit që çmimet e tregut të energjisë elektrike janë më të larta. Kur dihet që ZRRE-ja tek operatorët e tjerë përmes raporteve konsultative ka pranuar njohjen e kostove shtesë për të mbuluar inflacionin prej 5.41%, andaj më e pakta e cila do të duhej që ZRRE të njoh ndryshimin e çmimeve të KEK kundrejt KESCO, KEDS dhe KOSTT reflektimi i inflacionit prej 5.41%” – thuhet në komentet e KEK-ut të dërguara në ZRRE më 20.02.2024.
Shënim: Më 22.04.2024, në ora 16:30, artikulli është plotësuar me përgjigjen e KOSTT-it.