Shtëpia bamirëse "Nënë Tereza", Prishtinë

Kontributi bamirës i Shoqatës ‘Nënë Tereza’ gjatë viteve 90-ta

Shërbimet humanitare të Shoqatës bamirëse “Nënë Tereza” gjatë viteve 90-ta, kohë kur vendi po përballej me krizë në të gjitha sferat, sipas disa aktivistëve të asaj kohe kanë patur rol jetik për shumë qytetarë.

Gjatë atyre viteve shumë banorë të Kosovës lëshuan shtëpitë e tyre të cilat u shfrytëzuan për të ndihmuar njerëzit që kishin mbetur pa rrugëdalje, sidomos në fushën e mjekësisë.

Si rezultat i dëshirës dhe vullnetit për të ndihmuar popullin, më 30 mars të vitit 1992 në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë në shtëpinë e Shaban Sfircës, u hap ambulanca e parë humanitare “Nënë Tereza”, kjo lagje ishte përzgjedhur pasi ishte ndër më të varfrat në qytet.

Ideja për themelimin e kësaj shtëpie erdhi nga doktori Gani Demolli, si shkak i krizës së thellë ekonomike gjatë asaj kohe.

Aty shërbyen shumë mjekë që kishin humbur vendet e punës.

Shtëpia Humanitare “Nënë Tereza” në lagjen ‘Kodra e Trimave’ ka qenë pika kryesore në Kosovë.

Nga viti 1992 këtu u ofruan shërbime të përgjithshme shëndetësore, kurse nga viti 1996 ishte hapur edhe reparti i gjinekologjisë, ku deri në vitin 1999 kishin ardhur në jetë 12 mijë e 489 fëmijë dhe u kryen mbi 800 operacione.

Pjesa e shtëpisë ku u shfrytëzua si repart për lindje dhe ndërhyrje kirurgjike,  ka mbetur ashtu si ka qenë gjatë asaj kohe.

Brenda janë ende shtretërit dhe foto të fëmijëve që kanë lindur aty.

Deri më 23 mars të vitit 1999 në tërë Kosovën u hapën mbi 110 ambulanca të tilla.

Gjatë këtyre tetë viteve sa kishin qëndruar të hapura këto shtëpi, për funksionin e tyre kontribuan 1,637 punëtorë shëndetësorë, kurse ishin dhënë mbi 3 milionë shërbime.

Të gjitha këto shërbime janë kryer në baza vullnetare, punëtorët në atë kohë nuk merrnin kompensim për punën që kryenin.

Shërbimi “Nënë Tereza” përpos shërbimeve shëndetësore ka dhuruar edhe ilaçe dhe ushqime për fëmijë të porsalindur.

Në 10 vjetorin e hapjes së kësaj ambulance, ish Presidenti Ibrahim Rugova, kishte shpalosur një pllakatë në murin e kësaj shtëpie në shenjë kujtimi për veprimtarinë që u ushtrua aty.

Sadije Llalloshi, motër kryesore e shërbimit “Nënë Tereza” në Kosovë për Kallxo.com, ka thënë se ishte doktori Gani Demolli që dha idenë për hapjen e kësaj shtëpie dhe të mblidhte punëtorët shëndetësor që kishin mbetur pa punë të kontribuonin këtu.

“Ideja për hapjen e kësaj shtëpie ka qenë e doktorit të ndjerë Gani Demolli, ai ka qenë aktivist në shoqatën humanitare bamirëse ‘Nëna Terezë’. Në vitet e 90-ta siç e dimë të gjithë, okupatori ka larguar shumë punëtorë shëndetësor nga puna, dhe kjo ka qenë një nevojë dhe shtytje e doktor Ganiut, që t’i mbledhë punëtorët shëndetësor që do ofronin shërbime për pacientë”, tha ajo.

Llalloshi tha se ambulanta e parë është hapur në shtëpinë e Shaban Sfircës në lagjen “Kodra e Trimave”, kurse deri në vitin 1999 u bënë mbi 100 të tilla.

“Ambulanta e parë ka filluar punën më 30 mars të viti 1992 në shtëpinë e Shaban Sfircës, madje me kohën është paraqitur nevoja që të ketë ambulanta edhe në vende tjera. Në Prishtinë ka qenë 7 të tilla, kurse gjithsej deri në vitin 1999 janë hapur 110 ambulanta”.

Llalloshi tha se kanë punuar pa ndonjë kompensim dhe se përkundër që disa punëtorë janë larguar pas një kohe, ka qenë gjithmonë një grup që ka punuar deri në vitin 1999.

“Ky shërbim ka qenë i veçantë që nuk besoj të ketë ndodhur diku në botë, specifikat e tij kanë qenë që të gjithë punëtorët shëndetësor kanë punuar pa kurrfarë kompensimi. Janë lajmëruar edhe vullnetarë. Kanë pasur që kanë qëndruar pak ditë ose deri 1 vit dhe janë larguar, por ka qenë gjithmonë një grup që ka qenë këtu deri në vitin 1999”, theksoi Llalloshi.

Llalloshi që ishte motra kryesore për shërbimet e këtyre ambulanteve, tha se nga viti 1996 janë kryer mbi 13 mijë lindje në këto pika.

“Këtu janë kryer lindjet falas, kanë qenë afër 13 mijë lindje në këto shtëpi, kurse për numrin e pacientëve në gjithë Kosovën i kemi pasur mbi 3 milionë”, tha Llalloshi.

Sadije Llalloshi ka thënë se kjo shtëpi është mbajtur kryesisht me fonde të donatorëve të jashtëm pasi kanë qenë të regjistruar si Shoqatë Humanitare dhe Bamirëse “Nënë Tereza”.

“Kjo shtëpi është mbajtur krejtësisht nga donatorët e jashtëm, na kanë ndihmuar me pajisje, mjete mjekësore higjienike, të gjithë ne këtu kemi punuar si vullnetarë. Asnjë nuk ka qenë i dëshpëruar pasi e kanë ditur që nga dita e parë se çfarë do bëjnë. Brenda sallës ka foto të fëmijëve të porsalindur, që është dëshmi veprimtarisë së bërë këtu”, përfundoi ajo.

Sinan Musliu, mjek që kishte punuar mbi 13 vite në shtëpinë bamirëse në “Kodrën e Trimave”, tha se shërbimi ka filluar me pak njerëz, por që më vonë janë rritur shumë.

“Shërbimi shëndetësor ka filluar me një numër shumë të vogël të punëtorëve shëndetësor, për një kohë shumë të shkurtë është bërë një numër masiv. Ky shërbim përpos që ka kryer mision në kuadër të ndihmës shëndetësore për të gjitha kategoritë pa dallim etnie, moshe apo gjinie, është ofruar për këdo që ka pasur nevojë”, tha ai.

Kjo ambulantë ka kryer edhe mision edukativo-arsimor, të gjithë nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë ‘Ali Sokoli’ kanë ardhur këtu pasi u është ofruar mundësia t’i qasen pacientëve. Po ashtu studentët e Fakultetit të Mjekësisë i kanë kryer këtu ushtrimet. Këtu është kryer praktika për mjek të përgjithshëm sepse janë ofruar të gjitha shërbimet”, ka thënë Musliu.

Ai shtoi se aty janë shpërndarë edhe ushqime për fëmijë pasi shumë qytetarë nuk kishin mundësi t’i siguronin.

“Përpos ndihmës shëndetësore këtu është ndarë edhe ndihmë për shpërndarje të ushqimeve për fëmijë, kemi ndarë qumësht të gjitha llojeve, Në atë kohë një pako qumësht pluhur ka kushtuar 10 marka”, tha ai.

Musliu tha se ka qenë sfiduese të kryhet një veprimtari e tillë gjatë viteve 90-ta, pasi janë ndjerë edhe të rrezikuar si staf shëndetësor.

“Ka qenë shumë sfiduese të kryet veprimtaria këtu gjatë viteve 90-ta, pasi gjendja ekonomike ka qenë shumë e rëndë, dhe ne si punëtorë  shëndetësor kemi qenë shumë të rrezikuar, pasi okupatori na ka parë si pengesë”, tha për fund Musliu.

Sot shtëpia e Shaban Sfircës që e lëshoi këtë pronë për shërbime shëndetësore ka mbetur ashtu si ishte lënë në vitin 2000.

Pronarët e kësaj shtëpie prapa kamerës kanë thënë se komuna nuk u ka ndihmuar me asgjë sa i përket taksave të pjesës ku ndodhen dhomat e shërbimit shëndetësor, pasi aty nuk shfrytëzohet për banim, por nevojitet mirëmbajtje.

Sipas tyre, nuk kanë pasur as ndonjë vizitë nga ndonjë institucion apo komuna që ajo shtëpi të ruhet si vlerë humanitare e kombëtare.