Osmani: Kauza e Ilaz Kodrës ishte liria, andaj ai ra për liri e për shtet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë seancës solemne në nderim të komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra tha se ai ra heroikisht në përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile në Drenicë dhe mbrojtje të gjithë Kosovës.
Heroi Ilaz Kodra, sipas saj, ndoqi idealin e komandantit Adem Jashari duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij.
“25 vjet më parë fshatrat Verboc, Shtuticë, Terstenik, Dashec, Baks e Gllobar u ndodhen në egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë që kishte qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Banorëve të këtyre fshatrave iu vu Ushtria Çlirimtare e Kosovës në krye me Ilaz Kodrën dhe bashkëluftëtarët e tij, që me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim. Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Ilaz Kodra, në përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile dhe në përpjekje për mbrojtje të Kosovës ra heroikisht në fushëbetejë së bashku me 42 luftëtarë të UÇK-së”- tha Osmani.
E para e shtetit deklaroi se Ilaz Kodra ëndrrën për liri e kishte farkëtuar herët sepse qysh në rininë e tij iu kishte rrekur aktivitetit patriotik për liri e për shtet.
“Si patriot i devotshëm u shndërrua në dorën e djathtë të Adem Jasharit. Kauza e tij ishte liria, andaj ai ra për liri e për shtet”- tha ajo.
Heronjtë si Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së që ranë atë ditë dhe përgjatë gjithë luftës çlirimtare, sipas presidentes Osmani, janë më shumë sesa thjesht shtatore në bronz.
Sipas saj, ata janë kujtesa e përhershme, themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti, janë krenaria, frymëzimi e udhrrëfimi i çdo vepre tonën.
Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.
Kjo seancë ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtar të Filharmonisë së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra