Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

A po e vë dinari në pikëpyetje partneritetin Kosovë- SHBA?

Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdorët si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit së voni tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja. Kështu e konsideroj dhe kështu bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Ne jemi një Republikë demokratike dhe Qeveria nuk imponohet mbi institucionet e pavarura shtetërore si Banka Qendrore”, tha Kurti më 14.02.2024 gjatë një vizite në Prizren.

Sidoqoftë, deklarata e O’Brien po perceptohet ndryshe nga profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti.

Ai e cilëson deklaratën e O’Brien si sinjalin më të drejtpërdrejtë të ashpër që i është bërë ndonjëherë Kosovës.

“Siç duket kjo zbehje apo hendek sa vjen e shtohet dhe se deklaratat e O’Brien janë definitivisht sinjal i fuqishëm që partneriteti me amerikanët jo vetëm që po zbehet por mund të zhduket tërësisht”- është shprehur Hoti gjatë një bisede me KALLXO.com.

Mbi këtë bazë, Hoti e pranon se ka mëdyshje se nëse humbet partneriteti me Amerikën, atëherë parimisht nuk e di se kush do mbetet aleat i Kosovës, për faktin se tash e sa kohë Kosova po jeton me masa kufizuese të vëna nga BE.

“Me veprimet e fundit po shkohet drejt një izolimi total në kontekstin ndërkombëtar. E gjithë kjo po bëhet për ta plotësuar populizmin e brendshëm. Por bashkëpunimi ndërkombëtar, për të gjitha shtetet, e posaçërisht për shtetet e vogla është shumë i rëndësishëm”- shtoi Hoti.

Deklarata e O’Brien, sipas Hotit, është paralajmërim i ashpër dhe rrezik real për Qeverinë, ngase për vendin nuk sheh ndonjë rrezik në qasje të egër nga ShBA.

“Ne jemi dëshmitarë që presidentja dhe kryeministri për një kohë të gjatë nuk kanë pasë dhe nuk kanë komunikim me autoritetet më të larta të ShBA-së. Por tash po flitet me terma krejt të qartë”- tha ai.

Nga ana tjetër edhe Bashkimi Evropian po kërkon të shtyhet Rregullorja e BQK-së, por Qeveria e Kosovës nuk po lëkundet nga qëndrimi.

Ngjashëm si SHBA-të edhe BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të ndalë veprimet e njëanshme të cilat e prekin komunitetin serb dhe kështu të shmanget ndonjë përshkallëzim i mundshëm i situatës.

 “Për serbët lokalë deklarata e O’Brien është mesazh i fuqishëm”

Ivan Nikoliq nga organizata e serbëve të Kosovës, Communication for Social Development, thotë që deklarata e O’Brien lidhur me situatën me dinarin në Kosovë, në një farë mënyre i dërgon një mesazh të qartë qeverisë së Kosovës se është koha që të “shtypen frenat” pak.

“Fakti është se qeveria aktuale në Kosovë i konsideron serioze vetëm mesazhet që vijnë nga SHBA-të, si një nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës, dhe përveç marrëdhënies së mëparshme ‘partneriteti’, ka një dozë serioze të frikës ndaj SHBA-së”- tha Nikoliq në një bisedë me KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfaqur bindjen se po i respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar. Ai ka theksuar se rregullorja për dinarin është ligjore, dhe si të tillë nuk do ta zhbëjnë meqenëse ka për qëllim të luftojë financimin e terrorizmit dhe aktiviteteve të paligjshme.

“Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”- tha Kurti në një intervistë për median Bloomberg më 12.02.2024.

Në anën tjetër, sipas Nikoliqit, lëvizjet që ka bërë Qeveria e Kosovës së fundmi janë të drejtpërdrejta dhe duke rrezikuar shumë seriozisht komunitetin serb dhe veçanërisht më të varfërit e këtij komuniteti.

Nikoliq thotë se për komunitetin serb ky mesazh duket jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse “jep shpresë se lëvizjet e njëanshme të qeverisë së Kosovës do të zvogëlohen dhe se të gjithë më në fund do t’i rikthehet dialogut”. 

“Ajo që e shqetëson komunitetin serb është pasiviteti i përgjithshëm i anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe mesazhet tepër të buta që ata dërgojnë në kohën kur rreth tyre ndodhin gjëra me rëndësi thelbësore dhe ekzistenciale dhe kur ndjejnë se të drejtat e tyre në Kosovë janë jashtëzakonisht të kërcënuara”- tha Nikoliq.

Në gjuhën serbe, kryeministri Albin Kurti përmes një video-mesazhi, më 11.02.2024 i ishte drejtuar serbëve lokale se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, siç nuk i ka ndaluar valutat e tjera, por se i vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti 2024 “paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë”.

Sidoqoftë, nga komuniteti serb në Kosovë ka pasur reagime të forta në kundërshtim të kësaj rregulloreje nën arsyetimin se ajo i privon nga mundësia për ta përdorur dinarin si mjet pagese. 

Më 12.02.2024, rreth 2 mijë persona morën pjesë në protestën e organizuar nga Shoqata e Pensionistëve që u mbajt në Mitrovicë të Veriut kundër rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Është rrenë që mundesh me hap llogari për me i marrë pensionet. Nuk duam asgjë të huajën, po e duam tonën, atë që e kemi bërë me nderë. Përpos pensionerëve, mijëra të tjerë marrin para si ne” – ka thënë kryetarja e shoqatës së pensionerëve, Dushanka Gjoroviq përgjatë protestës.

Opozita jo fort e zëshme

Rrezikimi i marrëdhënieve të Kosovës me Amerikën rëndom nxitë debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, por kësaj radhe reagimet publike nga opozita ishin më të pakëta.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha më 14.02.2024, në trevjetorin e qeverisjes Kurti, se “falë politikave të Kurtit, Amerika për herë të parë në histori po vë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën”.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi që Qeveria Kurti vazhdon të marrë vendime të pamatura dhe po tenton të cenoj pavarësinë e institucioneve më të larta juridike dhe ekonomike në vend.

“PDK si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, dhe si lidere e opozitës do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv në mirëmbajtjen dhe avancimin e raporteve të mira me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës”- shkroi Krasniqi në Facebook.

Pavarësisht deklaratës së O’Brien, ministri i Financave Hekuran Murati tha se sa i përket qëllimit që synon rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, të gjithë partnerët thonë që e mbështesin atë deri në fund.

“I vetmi dallim është se si të ofrohet periudha tranzitore, e që e keni parë që BQK është angazhuar për ta ofruar”- tha Murati në mbledhjen e Qeverisë më 14.02.2024.

Pse i “nxehu gjakrat” rregullorja e BQK-së?

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton valutat e tjera, përfshirë dinarin serb  për pagesa.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje, veçse ka pasur një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të Rregullores. 

“Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai më 04.02.2024.

Ismaili tha se Rregullorja nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar ndërsa shtoi se koha do të dëshmojë që do të jenë ata që do përfitojnë nga ky vendim.

“Unë ju siguroj që kur këta qytetarë të hapin llogari bankare, kur të jenë në sistemin financiar do të përfitojnë prej benefiteve, kanë me qenë pjesëtarë të barabartë. Kur të tërhiqen nga sistemi ilegal që kanë qenë me dijeni, do të kuptojnë që nuk ka qenë për kritikë por për t’i nxjerrë nga një situatë” – tha Ismajli.

Shatë ditë pas hyrjes në fuqi të rregullores, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha që Banka e Serbisë ka dërguar drejt Kosovës një kamion me 117 milionë dinarë serbë me kredenciale të një kompanie që nuk ekziston, por që është kthyer prapa nga doganierët.

Bislimi cilësoi se Rregullorja është përgjigja e Serbisë kundrejt vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit si mjet pagese në Kosovë.

Përmes një plani 10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare.