Kurti i adresohet komunitetit serb: Kosova nuk e ndaloi dinarin, por paratë që kalojnë kufirin me thasë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u është adresuar në gjuhën serbe komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, duke ua sqaruar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton se pagesat me para të gatshme brenda vendit duhet të bëhen vetëm me euro, duke prekur kështu dinarin serb, valutë të cilën e përdorin për pagesa serbët lokalë.
Rregullorja hyri në fuqi më 01.02.2024.
Kurti përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, siç edhe nuk ka ndaluar valutat e tjera, por që sipas tij, i vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti 2024 “paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë”.
“Banka Qendrore tregon qartë se euro është mjeti i vetëm i pagesës në Kosovë dhe se në këtë drejtim, çdo transaksion duhet të jetë në euro si valuta e vetme zyrtare në Kosovë. Rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë. Çdo sugjerim për të kundërtën është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Rregullorja e Bankës Qendrore siguron ligjshmërinë dhe transparencën e parave të importuara në Kosovë, bazuar në Kushtetutën dhe politikën monetare të Bashkimit Evropian”- ka deklaruar Kurti.
I pari i Qeverisë thekson se, kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave.
“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufinjëve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”- është shprehur ai.
Në fjalimin e tij, kreu i ekzekutivit thotë se krimi duhet mposhtur dhe duhet të ndalet pastrimi i parave dhe pasurimi i paligjshëm me qëllimin e lehtësimit të financimit të terroristëve dhe pengimit të paqes.
Kurti tha se BQK-ja i ka ofruar lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro Bankës Popullore të Serbisë.
“Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro për ata që ende nuk e kanë bërë këtë, pa pagesë. Vetëm mendoni se sa mundësi do të krijojë hapja e një llogarie të rregullt bankare për një pjesë të vogël të popullsisë që nuk e ka bërë ende këtë: fluksi i parave përmes llogarisë do të mundësojë regjistrimin e pagesave dhe disbursimeve të ligjshme, të cilat do të jenë baza eventuale e marrjes së një kredie apo fillimit të një biznesi, marrja e ndihmës nga institucionet e Kosovës, pavarësia ekonomike e grave, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në mundësi të reja për një jetë më të mirë”- ka shpjeguar ai.
Më tej, Kurti ka sqaruar se gjithçka do të bëhet përmes llogarisë bankare të hapur në euro pasi sipas tij, në këtë mënyrë do të ketë transparencë dhe vendosje të ligjshmërisë.
“Gjithçka përmes llogarisë bankare të hapur në euro. Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”- ka potencuar ai.
Kryeministri thotë se do të bëjnë gjithçka që përmes fushatave informuese të mundësojnë një tranzicion të lehtë.
Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 01.02.2024. Kjo ka ngjallur reagime të ndryshme.
Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, të thirrur nga Serbia, Kurti mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, por presidenti i serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.
“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”- tha Vuçiq.
Kurse në kundërpërgjigje të Vuçiq, Kurti sqaroi se Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga mbështetja financiare për serbët e Kosovës.
Ai tha se Rregullorja thjesht synon të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë.
“Më lejoni të jem i qartë, Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga sigurimi financiar për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike. Rregullorja synon thjesht të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë në përputhje me Kushtetutën tonë dhe politikën monetare të Bashkimit Europian”- deklaroi Kurti.
Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores.
Përmbledhje – Ballafaqimi Kurti-Vuçiq në KS të OKB-së për dinarin dhe Banjskën