Plani 10 pikësh i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për operacione me para të gatshme

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një plani 10 pikësh, ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare.

Si hap i parë që është ndërmarrë nga BQK-ja, është funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’.

Përmes planit të publikuar me 12.02.2024, BQK parasheh lehtësimin e kushteve për hapjen e llogarive bankare, “në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë”.

“Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”, është njëra nga pikat e këtij plani.

BQK paralajmëron zgjerimin e prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit.

“Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve, si dhe vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare”, janë dy pikat tjera të këtij plani.

Ndër tjera, BQK në planin e saj e specifikon lehtësimin e procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.

Krahas kësaj, parashihet vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar.

“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion”, njofton BQK.

Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga kjo datë do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar se Rregullorja e BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Kundër zbatimit të kësaj rregulloreje, qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, me 12.02.2024 kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut.

Disa nga parullat e vendosura nëpër pankarta në këtë protestë ishin “Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”; “Europë hapi sytë”; “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”.

Mitrovicë e Veriut, protesta e serbëve kundër vendimit të BQK-së për dinarin