Protesta kundër Rregullores së BQK-së në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com - 12.02.2024

Mitrovicë e Veriut, protesta e serbëve kundër vendimit të BQK-së për dinarin

Serbët kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

14:45 – Policia: Rreth 2 mijë persona morën pjesë në protestën që u mbajt në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me protestën që u mbajt në Mitrovicë të Veriut, në të cilën serbët dolën kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas një komunikate për media, PK tha se në protestë morën pjesë rreth 1 mijë e 800 persona përfshirë ata që kanë ardhur nga rajone të ndryshme në formë të organizuar me autobusë e vetura.

Ky tubim përfundoi në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident.

Policia njoftoi se me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

Gjithashtu u njoftua se ashtu siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë Shoqata e Pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike.

“Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi” – u tha në komunikatë.

12:36 – Drejtori i Spitalit në Mitrovicë të Veriut: Ky vendim i prek ata që janë më të dobëtit e shoqërisë, pensionistët dhe ata që marrin ndihma sociale

Fjalim para protestuesve në Mitrovicë të Veriut ka mbajtur edhe Dragisha Milloviq, drejtori i Spitalit të Mitrovicës së Veriut, i cili ka shprehur përkrahjen e tij ndaj protestës dhe pakënaqësinë për vendimin për dinarin.

“Ky vendim është kundër popullit serb që të mbijetojnë në këto treva. Ky vendim është që t’i ndërprejë institucionet serbe në Kosovë. Kjo është edhe kundër një pjese të shqiptarëve që marrin pensione në dinarë. Edhe pas 25 viteve duhet që ne t’i kallxojmë botës, Europës që ne jemi qytetarë të shtresës së dytë. Kjo i prek ata që janë më të dobëtit e shoqërisë, pensionistët e ata qe marrin ndihmë sociale. Është në pyetje edhe qysh furnizohet spitali, qysh kemi me ble ushqim për pacientët” – ka thënë ai.

Drejtori i Spitalit në Mitrovicë të Veriut, Dragisha Milloviq, Foto: KALLXO.com

Pjesë e protestës, përveç drejtorit të Spitalit në Mitrovicë të Veriut janë parë edhe persona të tjerë të veshur me uniforma të punonjësve shëndetësorë.

12:20 – Profesoresha e ekonomisë: Vendimi për dinarin është diskriminues

Gjatë deklarimit para protestuesve, profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Dragana Millkoviq, ka folur në emër të profesorëve të këtij fakulteti.

Millkoviq ka thënë se vendimi i BQK-së për dinarin është diskriminues.

“Vendimi i BQK është diskriminues dhe direkt ndikon në mbijetesën e serbëve në Kosovë. Shtohet pyetja qysh kanë me ble bukë për ushqim, qysh kanë me u marrë bursat për studentët. Vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit që thirret në të drejtën kushtetuese, a është kushtetuta më e fortë se vet vendimet dhe marrëveshjet që janë bërë në mes shteteve europiane. Albin Kurti ka sjellë vendim të njëanshëm” – është deklaruar Millkoviq.

Profesoresha Dragana Millkoviq, Foto: KALLXO.com

12:10 – Deklarimi i kryetares së Shoqatës së Pensionistëve për vendimin për dinarin

Kryetarja e shoqatës së pensionerëve, Dushanka Gjoroviq ka folur në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës në lidhje me vendimin për dinarin.

“Është rrenë që mundesh me hap llogari për me i marrë pensionet. Nuk duam asgjë të huajën, po e duam tonën, atë që e kemi bërë me nderë. Përpos pensionerëve, mijëra të tjerë marrin para si ne” – ka thënë ajo.

Gjoroviq ka thënë se po i drejtohet të gjithë botës për të dëgjuar thirrjen e tyre.

“Për ne është e rëndësishme që të ndërprehet ky vendim, që ne ta marrim pensionin tonë në banka dhe posta që ne me mujtë me jetu si në krejt botën” – ka shtuar ai.

12: 16 – “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim” – një nga parullat e protestës

Disa nga parullat e vendosura nëpër pankarta në këtë protestë janë “Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”; “Europë hapi sytë”; “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”.

Një nga parullat në protestë në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com
Një nga parullat në protestë në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com

12:07 – Përfaqësuesit e Listës Serbe në protestën kundër Rregullores së BQK-së

Në këtë protestë janë bashkëngjitur edhe përfaqësues të Listës Serbe. Në protestë po shihen kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek e Sllavko Simiq dhe të tjerë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe në protestë, Foto: KALLXO.com

12:00 – Serbët protestojnë kundër vendimit të BQK-së për dinarin

Pensionistët serbë kanë thirrur protestë në Mitrovicën e Veriut kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës mbi dinarin.

Dy ekipe të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në afërsi të sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut, në afërsi të Urës së Ibrit.

Skena/bina e vendosur në protestën në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com
Ekipi i Policisë së Kosovës i vendosur pranë Urës së Ibrit, Foto: KALLXO.com

Gazetarët e KALLXO.com nga terreni kanë treguar se në fillim të sheshit është vendosur një skenë/binë, ndërsa qytetarët kanë filluar të mblidhen për protestën që pritet të fillojë në ora 12:00.

Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 01.02.2024. Kjo ka ngjallur reagime të ndryshme.

Vendet e QUINT-it dhe SHBA kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili në emisionin KallxoPernime tha se serbët lokalë mund të pranojnë çfarëdo lloje ndihme nga Serbia por që ato duhet të jenë në kanale zyrtare dhe të ligjshme e në euro.

Ismaili tha se Rregullorja nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar ndërsa shtoi se koha do të dëshmojë që do të jenë ata që do përfitojnë nga ky vendim.

“Me përgjegjësinë e plotë them se kjo nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar. Unë ju siguroj që kur këta qytetarë të hapin llogari bankare, kur të jenë në sistemin financiar do të përfitojnë prej benefiteve, kanë me qenë pjesëtarë të barabartë. Kur të tërhiqen nga sistemi ilegal që kanë qenë me dijeni, do të kuptojnë që nuk ka qenë për kritikë por për t’i nxjerrë nga një situatë” – tha ai në emisionin KallxoPernime.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, të mbajtur më 08.02.2024, të thirrur nga Serbia, Kurti mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, por presidenti i serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”- tha Vuçiq.

Kurse në kundërpërgjigje të Vuçiq, Kurti sqaroi se Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga mbështetja financiare për serbët e Kosovës.

Ai tha se Rregullorja thjesht synon të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë.

“Më lejoni të jem i qartë, Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga sigurimi financiar për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike. Rregullorja synon thjesht të sigurojë transparencën dhe ligjshmërinë e parave të gatshme të importuara në Kosovë në përputhje me Kushtetutën tonë dhe politikën monetare të Bashkimit Europian”- deklaroi Kurti.

(Shënim: Lajmi është edituar tek emri i Dragisha Milloviq, pasi gabimisht është shënuar mbiemri i tij në lajm – Koha e editimit: 15:15 – 12.02.2024)