Nga pozita e drejtorit të Drejtorisë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, kapiteni Riza Murati është caktuar në një njësi tjetër të Policisë së Kosovës, e cila merret me bashkëpunim ndërkombëtar për persona të kërkuar.
Fjala është për Njësinë ILECU, njësit në të cilin Murati do të ketë pozitën e shefit të sektorit të mbështetjes.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka thënë se Riza Murati kishte lëvizur në pozitë para se të suspendohej me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës në prill të këtij viti.
“Për informim tuajin zyrtari në fjalë ishte transferuar në këtë pozitë para se të rekomandohej suspendimi nga IPK më datë 20.04.2024, pra nuk kemi të bëjmë me avancim por vetëm me lëvizje paralele në kuadër të nivelit të njëjtë, dhe për më tepër FAST nuk është nën vartësin e këtij sektori” – thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në këtë përgjigje nuk përmendet saktë se kur është marrë vendimi për pozitën e re të Muratit.
Edhe për këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar përgjigje dhe është në pritje për këtë informacion.
Deri më tani zyrtarisht nuk ka asnjë informacion se ku është rasti i hetimit për Riza Muratin si i dyshuar për dhunë në familje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Kur është interesuar Kallxo.com për këtë çështje, Prokuroria ka thënë se nuk mund të japin informacione.
“Ky rast është në hetime. Gjithashtu, ju njoftojmë se rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastet të cilat trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës të datës 11.07.2024.
Murati u hetua për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa ka pak ditë që KALLXO.com raportoi se kapiteni është kthyer në institucionin ku shërben pas suspendimit të tij më 19.04.2024.
KALLXO.com ka tentuar të flasë edhe me Riza Muratin për pozitën e re dhe për procesin e hetimit por ai nuk u është përgjigjur as telefonatave, as mesazheve.
Murati para kësaj pozite të re mbante postin e të parit të Drejtorisë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje ndërsa pas raportimit Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e tij.
Në një dokument që kishte siguruar KALLXO.com, Riza Muratit i ndalohej t’i afrohej bashkëshortes së tij L.M. në perimetër 50 metra në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës. Gjithashtu i ndalohej që të komunikojë me L.M. në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përmes personave të tretë, ta shqetësojë, manipulojë, ofendojë bashkëshorten e tij.
KALLXO.com ka siguruar vendimin që ka lëshuar Gjykata e Prishtinës për L.M., e cila më 12.03.2024 përmes Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka kërkuar urdhër mbrojtje.
Kjo për faktin se e njëjta e ka raportuar Riza Muratin për dhunë në familje, dhunë psikike, madje edhe fizike në të kaluarën.
Në një bisedë përmes telefonit me ekipin e KALLXO.com (e cila është realizuar më 09.04.2024), viktima L.M. kishte rrëfyer në detaje ngjarjet që thotë se kishin nisur që nga lindja e djalit të parë, i cili ende është i mitur, 16-vjeçar.
“Problemet me të kanë nisur që nga djali kur kam lind, kur e kam bë fëmijën e parë, kur nuk kemi pasë fëmijë nuk kemi pasë kurrë probleme, i ka fsheh këto veti negative. Momentin që e kam bë djalin iu ka dokë sikur më lidhi mu sepse më ka pa që jam shumë e përkushtume ndaj fëmijëve”- thotë L.M.
Ajo shpjegon se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.
“I kam pasur 17 vjet martesë, që 16 vite unë kam pasë dhunë fizike dhe psikologjike. Ndoshta një vit nuk ka shku unë kam pasë dhunë fizike e psikologjike, e ka gjetë a te nana, a te motra, a vet diçka pa e gjetë një arsye me të rreh nuk e ka lanë. Tani u kthejke që kishe po ta blej një dhuratë, po të dërgoj dikund, e kjo nuk ma ka hekë të qajtmen e shenjat që i kam pasë prej tij”- shpjegon tutje L.M.
KALLXO.com për ditë më radhë kishte kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës përgjigje nëse kanë arritur që të vërtetojnë pretendimet e viktimës dhe cilat masa ishin ndërmarrë në lidhje me rastin e raportuar.
Nga Prokuroria fillimisht pati një heshtje në lidhje me veprimet e ndërmarra. E për të njëjtën çështje KALLXO.com kishte pyetur edhe kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, në një intervistë.
Suspendimi ai tha se u bë pas publikimit në media, për shkak se IPK nuk kishte marrë një dritë të gjelbër prej anës së Prokurorisë nëse në këtë rast ka elemente të veprës penale.
Sipas Hodajt, IPK ka filluar trajtimin e këtij rasti që nga momentin që i ka marrë informacionet e para.
“I kemi marrë dëshmitë prej bashkëshortes së tij, i kemi zhvilluar kontaktet dhe komunikimet me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë” – tha kryeshefi.
“Fillimisht ka qenë vlerësim i Prokurorisë se duhet të ndërmerren edhe disa veprime hetimore shtesë për t’u siguruar nëse ka ose jo elemente shtesë të veprës penale dhe kemi qenë në ndërmarrje të veprimeve në momentin që pastaj veç është publiku” – shtoi tutje ai.
Tutje Hodaj tha se viktima në media ka dhënë informacione shtesë përtej informacioneve që ata i kanë pasur gjatë fazës që kemi qenë duke e hetuar.
IPK rekomandon suspendimin e Riza Muratit, kapitenit të Policisë të dyshuar për dhunë në familje