ATK nuk e pezullon nga puna zyrtarin me aktakuzë për korrupsion

Po behën një muaj nga dita kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër udhëheqësit të inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi.

Që nga 16 dhjetori i 2919-ës, sipas Ligjit mbi Shërbimin Civil, i cili është duke u zbatuar aktualisht në Kosovë, Safet Krasniqi është dashur të pezullohej nga puna.

Ndonëse u bën një muaj nga ngritja e aktakuzës, Safet Krasniqi po vazhdon të punojë i papenguar në një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, Administratën Tatimore të Kosovës.

Krasniqi aktualisht mbanë pozitën udhëheqësit të ekipit në njësinë e Inteligjencës së Administratës Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com, iu ka drejtuar Zyrës së Standardeve Profesionale në ATK, me kërkesë për informacione se pse nuk është pezulluar akoma Safet Krasniqi.

ATK ka thënë për KALLXO.com, se kanë kërkuar interpretim në Ministrinë e Administratës Publike se cili ligj është duke u zbatuar në Kosovë, duke e pasur parasysh që ligji mbi zyrtarët publik është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Me datë 10 janar 2020, Ministria e Administratës Publike ka qartësuar përfundimisht se cili është ligji i cili po zbatohet në Kosovë sa i përket shërbyesve civil.

Sipas kësaj Ministrie, ligji në zbatim është Ligji mbi Shërbimin Civil.

Pikërisht ky ligj në nenin 69, ka paraparë se shërbyesit civil ndaj të cilëve janë iniciuar procedurat penale duhet të pezullohen nga puna me 50% të pagës.

Neni 69 Pezullimi parandalues: “Nëpunësit civilë pezullohen, me pagesë 50% të rrogës se tij/saj, menjëherë nga detyra nga organi përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit punëdhënës nëse: 1.1. kundër tij/saj është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj”, thuhet në ligj.

Me ta pranuar vendimin e Ministrisë së Administratës Publike me të cilin thuhet se ligji i cili duhet të zbatohet në Kosovë për administratën publikë është Ligji mbi Shërbimin Civil, KALLXO.com iu ka drejtuar përsëri Administratës Tatimore të Kosovës për të parë nëse ky institucion e ka pezulluar zyrtarin e akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsion.

Lidhur me këtë pyetje ATK, ka deklaruar se akoma nuk janë njoftuar nga Ministria e Administratës Publike për këtë vendim, ndonëse i janë drejtuar për interpretim.

“Ju njoftojmë se ende në ATK nuk është pranuar informata nga MAP, lidhur me çështjen se deri në hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Zyrtarët Publik të zbatohet ligji i vjetër (Mbi Shërbimin Civil). Siç ju kemi njoftuar në lidhje me këto situatata, kemi kërkuar interpretim nga Ministria e Administratës Publike, por nuk kemi ndonjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Shefi i ekipit të Njësisë së inteligjencës në ATK, Safet Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion.

Sipas aktakuzës, Safet Krasniqi gjatë kohës sa ishte u.d, Drejtor i hetimeve në ATK, nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet kontrolli, apo vizitë duke e dëmtuar kështu qëllimisht buxhetin e Kosovës.

Prokuroria Speciale, poashtu, pretendon se Safet Krasniqi i kishte autorizuar disa zyrtarë të ATK-së për të vizituar disa biznese dhe për t’ua korrigjuar deklarimet tatimore, ndonëse për to kishte deklarime se punonin me fatura të dyshimta.

Ky rast ishte shfaqur fillimisht në emisionin “Jeta në Kosovë”, në të cilin ishin paraqitur një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Emisionin hulumtues ‘Vjedhja Tatimore’ të ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni duke klikuar në LINK.